Votojnë klubet: Kupën e fiton Bajern Mynih

May 12, 2012 | 13:48

Klop dhe Hejnkes

Nga Fëler i Leverkusenit, te Babel i Hofenhajmit dhe Bobiç i Shtutgartit.

Tetë drejtues besojnë sot te triumfi i bavarezëve.

Cili ekip e fiton Ku-pën e 69-të të Gjermanisë? Mendoni se Dortmundi do të fitojë dopietën, apo Bajerni ngre Kupën e 16-të?
Ja si e parashikojnë këtë sfidë 16 prej drejtuesve të klubeve të Bundesligës.Tetë besojnë te bavarezët, 5 te verdhezinjtë, ndërsa tre ua lënë në dorë penalltive.
Fëler (Leverkusen): “Shpresoj të jetë një duel gjigant ku të dhurohet spektakël. Luajnë dy ekipet më të forta të këtij sezoni dhe uroj të shkoj në shtesë dhe të vendoset me penallti!”
Tonies (Shalke): “Bajerni fiton Kupën sepse porta e tyre mbrohet nga një gardian që ua ka marrë dorën trofeve. Manuel Nojer është garant i portës dhe i suksesit”.
Alofs (Verder Bremen): “Sipas meje, do të fitojë Bajerni me rezultatin 2-1”.
Magat (Volfsburg): Rekordmenët ngrenë trofeun duke fituar 2-0!”
Babel (Hofenhaim): “Unë votoj ish-ekipin tim sepse nuk e durojnë dot disfatën dhe Dortmundi s’ka për të pasur shans”.
Fink (Hamburg): “Bajerni është ende pa titull këtë sezon. Uria për të ngritur trofe është i madh dhe me patjetër duhet ta sigurojnë një para finales së madhe, ku shanset janë 50-50”.
Kunc (K’lautern): “Finalja shkon në shtesë. Se cili e fiton me penallti, nuk e di”.
Shmatke (Hanover): “Dortmundi është favorit, sepse Bajerni ndodhet nën presionin e Champions-it dhe do të kujdesen më shumë për formën fizike”.
Prec (Herta): “Jam i mendimit se fati i Kupës vuloset nga penalltitë”.
Bobiç (Shtutgart): Dortmundi fiton sepse gjatë gjithë sezonit kanë qenë konstant dhe kanë shansin më të mirë të shkruajnë historinë duke fituar njëkohësisht si kupën dhe titullin kampion”.
Heking (Nurenberg): “Bavarezët s’do munden kurrë pesë herë radhazi nga Dortmundi. Ata do ndëshkohen patjetër”.
Haidel (Mainc): “Dortmundi ngre kupën sepse ia kanë marrë dorën Bajernit dhe janë në formë për t’i ndëshkuar për të pestën herë”.
Shtraih (Fraiburg): “Unë besoj te Dortmundi, pasi me formën dhe ecurinë e tyre më kanë bindur më shumë se sa Bajerni”.
Eberl (M’Gladbah): “Ka për të qenë një finale e çmendur ku Bajerni ngre kupën duke fituar me penallti”.
Toni Shumaker (Këln): “Fiton Dortmundi sepse Bajerni është i fiksuar te finalja e Champions-it dhe nuk duan të kenë të gatshëm të gjithë lojtarët kundër Çelsit”.
Për herë të dytë në histori, Kupa e Gjermanisë është ndarë në finale nga dy kryesuesit e Bundesligës (2005, Bajern-Shalke 2-1). Bajerni e ka fituar tetë herë dopietën e titujve kombëtarë, ndërsa Dortmundi ka shansin e vetëm të shkruajë historinë për të fituar dopietën e parë gjatë historisë së klubit.

Klop
Ndërkohë imazhi dhe prezenca e Dortmundit kanë ndryshuar shumë pas ardhjes së Jurgen Klopit në krye të pankinës verdhezi. Ai është i vendosur të fitojë Kupën e parë si trajner si dhe ta çojë në tre numrin e trofeve te Dortmundi. “Ka për të qenë një finale e zjarrtë, me shumë ritëm dhe emocion. Ky duel me të drejtë mund të cilësohet si një “Uembli gjerman” apo “Uimbëlldon”. Për mua është historike dhe si presioni dhe përgjegjësia është tejet e lartë. Të gjithë ne kemi ëndërruar për këtë ditë dhe ky është objektivi maksimal për një ekip në evenimentet kombëtare”.

Hejnkes
Jup Hejnkes në karrierën e tij 33-vjeçare si trajner ka fituar çdo titull, por ende jo Kupën e Gjermanisë. Këtë trofe ai e ka fituar si lojtar i Mynshengladbahut në vitin 1973, por kishte dhe shansin ta fitonte atë në vitin 1984. Në atë finale të parë dhe të fundit si trajner e humbi me penallti kundër Bajernit. “Fitorja është detyrim dhe këtë gjë e kanë të fiksuar mirë lojtarët tanë. Më mungon kjo kupë në koleksionet e mia. Për mua ka rëndësi shumë të madhe, pasi jo vetëm që peshon më shumë nga të tjerat, por ka dhe një stimul simbolik në karrierën time”.

© Panorama.al

Te lidhura