Parlamenti ka miratuar dje me 122 vota ligjin. Debate mes maxhorancës e opozitës.
Topalli: Humbëm tre vjet nga PS, Xhafaj: Kërkoni falje.
Parlamenti ka miratuar dje me konsensus, pas tri vitesh përplasje, projektligjin “Për Gjykatën Administrative”. Drafti konsensual për ngritjen e Gjykatës Administrative është shoqëruar me një punë disamujore të Komisionit të Ligjeve dhe është finalizuar dje, pas vizitës së parë në Parlament të komisionerit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fyle. Në fillim të paraqitjes së raportit të projektligjit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ironizuar deputetët e majtë për bllokimin prej 3 vitesh të ligjit, duke mos dhënë votën pro ngritjes së Gjykatës Administrative. “Si na hupët tre vjet mor burra dhe me votut të njëjtin ligj?” u shpreh Topalli. Gjatë replikës, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi se drafti i miratuar dje në Kuvend i është nënshtruar një riformulimi në 80% të neneve të tij. Sipas Xhafës, projektligji ishte i dobët dhe nëse do të miratohej sipas variantit të qeverisë, atëherë do të sillte efekte negative në zgjidhje të mosmarrëveshjeve të biznesit. Xhafaj e akuzoi qeverinë se nuk ka parashikuar asnjë fond për ndërtimin e gjykatave administrative. “Ligji ishte i dobët, i paplotë dhe nëse do të miratohej, do të sillte efekte negative. Të keni kurajën morale dhe të pranoni që projekti i paraqitur ishte një projekt i paplotë, i keqshkruar. Shkurt: i dështuar. Sot duhet të keni guximin dhe të kërkoni falje për baltën dhe shpifjen e hedhur ndaj nesh”, theksoi Xhafaj. Gjatë replikës, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, e akuzoi kryesocialistin Edi Rama se me politikën e tij negative shkaktoi djegien e fondit prej 17 milionë dollarësh të dhuruar nga shtetit amerikan, që do të mundësonin ngritjen e gjykatave administrative. “Arsyetimi naiv i kryetarit të opozitës u jep përgjigje të gjitha pyetjeve të qytetarëve për këtë reformë të Drejtësisë. Ai nuk dëmtoi kundërshtarin politik dhe as votuesit e kundërshtarit politik. Ai dëmtoi partinë e tij dhe të gjithë qytetarët e vendit, të elektoratit të majtë e të djathtë. Ai dëmtoi të gjithë votuesit, të gjithë taksapaguesit, të cilët, teksa paguajnë taksa për ne, për rrogat tona kanë të gjithë të drejtën të kërkojnë zhvillimin e reformave përtej interesave naive politike”, theksoi Halimi. Kriteret
Relatori i projektligjit, socialisti Armando Subashi, deklaroi dje se në të gjithë vendin do të jetë rreth 6 gjykata administrative, të cilat do të ndahen në tri nivele: Gjykatë e Shkallës së Parë, Apel dhe Kolegj Administrativ. Në ligjin e miratuar me një shumicë të cilësuar votash janë parashikuar dhe kriteret që duhet të përmbushin gjyqtarët që duan të kandidojnë për t’u bërë pjesë e trupës gjykuese të Gjykatës Administrative. “Kemi parashikuar në ligj për emërimin e gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit, janë parashikuar dy kritere objektive, pra vjetërsia në punë dhe 5 vjet në Shkallën e Parë, 9 vjet Apel dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi”, theksoi relatori i PS.
Deputeti i PD, i vetmi që abstenon ligjin në Parlament
Alibeaj: Mos më bezdisni në telefon
Enkelejd Alibeaj
Projektligji “Për Gjykatën Administrative” u miratua dje me 122 vota pro, 1 votë abstenim nga ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe një votë, e cila është ndërruar në momentin e fundit nga deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko. Deputeti socialist fillimisht ka votuar abstenim, por sipas gjasave, gabimisht. Duke mos pasur mundësi të ndërrojë votën, Majko ka hequr kartën nga peneli i votimit duke shënuar në tabelën elektronike vetëm prezencën e tij dhe jo mundësinë të votojë si kolegët. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike ka votuar ndryshe nga kolegët demokratë, duke abstenuar gjatë votimit në tërësi të projektligjit për Gjykatën Administrative. Edhe pse ka qenë aktiv në Komisionin e Ligjeve gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit, vota abstenim në Kuvend mbetet e pashpjeguar. “Panorama” ka tentuar të komunikojë me deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj, por përgjigjja e tij ka qenë vetëm: “Mos më bezdisni më në telefon”.