
Basha: E vërteta e ndryshimit të tatimeve. Maji fillimi i projeteve të mëdha.
Ka përfunduar me votim me kuti shkarkimi i sekretarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Debati, që nisi që në minutat e para të mbledhjes, u mbyll me numërimin e 29 votave të fshehta të maxhorancës për largimin nga detyra të Vladimir Gjonajt. Këshilltarët opozitarë nuk morën pjesë në votim, duke mos dashur të përballen me votën e fshehtë. Në vend të Gjonajt, të djathtët miratuan si sekretar Këshilli Behar Zenelin, ish-drejtues i ALUIZNI-t.
Debatet
Mbledhja e Këshillit Bashkiak filloi me një protestë të hapur të socialistëve. Këta të fundit ishin kundër ndryshimit të rendit të ditës. Përfaqësuesit e djathtë kishin mbledhur 20 firma për shkarkimin e sekretarit të Këshillit dhe, bashkë me këtë vendim, shtuan edhe propozimin e kreut të Bashkisë, Basha, për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” të ish-ministrit italian, Fratini. Socialistët nuk pranuan që të ndryshonte rendi i ditës dhe përfaqësuesi i grupit, Dalipi, replikoi disa herë me kreun e Këshillit, Kosovrasti. Mjaftoi ndërprerja e fjalës nga Kosovrasti që debati të humbte ngjyrën e fjalës dhe të shtynte Dalipin që, me një veprim të dhunshëm ndaj aparaturave të sallës, të largohej bashkë me këshilltarët e tjerë socialistë. Mbledhja është ndërprerë, e më pas në tentativë për të gjetur gjuhën e komunikimit me socialistët, që pas insistimit dhe negociatave të kreut të Bashkisë u rikthyen sërish në mbledhje.
Vendimet
Këshilli Bashkiak vetëm me votat e maxhorancës miratoi dje ndryshimin e kompensimit të qirasë për familjet në nevojë. Ndryshimi i çmimeve të tregut është pasqyruar edhe në kompensimin e qirasë për të tria zonat e Tiranës. Gazeta boton tabelën e re me tarifat që do të kompensojë Bashkia për familjet. Vendimi tjetër që u miratua, ishte projektbuxheti afatmesëm i Bashkisë. Kjo e fundit parashikon rritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve për të gjitha zërat e investimeve. Këshilli miratoi edhe shpërblimin me 2 milionë lekë të sportistes Romela Begaj për titullin “Nënkampione e Europës”. U miratua rregullorja e re për Kodin e Etikës së punonjësve në Bashki, si dhe dhënia e titullit “Qytetar Nderi” për ish-ministrin e Jashtëm italian, Franko Fratini.
Basha
Kreu i bashkisë i është përgjigjur me shifra akuzave të socialistëve për rritjen e taksave për biznesin e vogël. “Fakti është se kryetari i Bashkisë së Tiranës as nuk mbështet dhe do të kundërshtojë me forcë çdo rritje taksash të propozuar nga cilido në këtë sallë të Këshillit”. Basha tregoi se një tjetër metodë po ndiqet nga bashkiakët socialistë në rrethe të tjera të vendit. “Pa dashur të përmend emrin e Bashkisë që drejtohet nga një koleg socialist, në tremujorin e parë të këtij viti i njëjti subjekt ka paguar në Bashkinë e Tiranës 25 120 lekë te rinj dhe, në Bashkinë në fjalë, 137 620 lekë të rinj.” Kreu i bashkisë ka dhënë më pas shifra se vetëm një pjesë shumë e vogël e bizneseve kanë pasur rivlerësim të xhiros. “Në Bashkinë e Tiranës, 1096 subjekte sollën ankimet e tyre për sa i përket nivelit të xhiros. Këto ankimime u trajtuan sipas ligjit në fuqi dhe rezultoi se 745 ose 68 për qind e kërkesa të shqyrtuara ranë dakord me vlerësimin fillestar”. Një tjetër shifër interesante që vjen nga Bashkia, është mbledhja e tarifës së pastrimit. “Nga mënyra e re e mbledhjes së tarifës së pastrimit nga familjarët, të ardhurat e arkëtuara për tremujorin e parë të vitit 2012 arrijnë shumën prej 101 milionë lekësh ose 204% e arkëtimeve të vitit 2011.
Investimet
Maji do të jetë muaji i qartësimit të projekteve dhe i fillimit të investimeve. Basha theksoi që në fillim të mbledhjes se “Muaji i Europës” pritet të ndezë motorët e investimeve në Tiranë. “Ne presim në këto ditë një delegacion shumë të madh investitorësh, nga një prej fuqive të reja, por shumë të mëdha ekonomike të botës, që është Kina, të cilët vijnë të informuar për planet tona të zhvillimit dhe me dëshirë e plane konkrete për të qenë pjesë e investimeve të huaja në Tiranë, investime të cilat kanë një rol të veçantë në rritjen e gjallimin e ekonomisë, në krijimin e shanseve për punësim, veçanërisht për brezin e ri”, u shpreh Basha. Ai solli në vëmendje edhe projektin e rëndësishëm për bulevardin, që do të sjellë në Tiranë një delegacion nga Katari. “Në të njëjtën kohë që ne vendosim fituesit e konkursit të bulevardit, në Tiranë mbërrin një delegacion i posaçëm, i dy prej organizatave vendimmarrëse dhe zhvilluese të shtetit të Katarit, i cili është afër hapave finalë për vendimmarrjen, sa i përket financimit të kësaj vepre gjigante të infrastrukturës. Por jo vetëm kaq, edhe ndërhyrjes me investime private përgjatë aksit të ri të bulevardit dhe në pjesë të tjera të qytetit tonë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.
© Panorama.alVlerat e qirasë sipas zonave
Zona A:
Brenda Unazës së Vogël:
• Vlera mesatare e qirasë minimale: 33.740 mijë lekë në muaj;
• Vlera maksimale e bonusit të qirasë: 16.870 mijë lekë në muaj;
Zona B:
Ndërmjet Unazës së Madhe dhe të Vogël:
• Vlera mesatare e qirasë minimale: 23 580 lekë në muaj;
• Vlera maksimale e bonusit: 11 790 lekë në muaj;
Zona C:
Jashtë Unazës së Madhe:
• Vlera mesatare e qirasë minimale: 13.920 mijë lekë në muaj;
• Bonusi maksimal: 6960 lekë në muaj;











