
Shoqatat e grave propozojnë masa të forta për votimin në grup.
Komisioni i Reformës Zgjedhore do të diskutojë ditët e ardhshme disa propozime të shoqatave të grave lidhur me përfaqësimin e tyre në masën 30 për qind dhe eliminimin e fenomenit të votimit familjar. Pika më me interes pritet të jetë pikërisht ajo e votimit familjar, ku katër shoqata kanë paraqitur një variant me masa të ashpra. Konkretisht, ato propozojnë që personat që aplikojnë këtë lloj votimi të gjobiten ose t’u hiqet liria deri në tre muaj. “Votimi familjar dhe votimi në grup nga ana e zgjedhësit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj”, thuhet në propozimin për nenin 169 të Kodit Zgjedhor. Në të njëjtën kohë kërkohet që përgjegjësi të ketë edhe kryetari i komisionit të qendrës së votimit që lejon votimin familjar. “Lejimi nga ana e anëtarëve të KQV i votimit familjar përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë në masën 90 000 lekë”, thuhet në propozimin e shoqatave të grave për nenin 171 të Kodit.
Përfaqësimi
Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, Rrjeti i Grave “Barazi në vendimmarrje”, Rrjeti për Fuqizimin e Grave Shqiptare (AWEN) dhe Rrjeti i Grave “Millenium” kanë parashtruar propozimet e tyre edhe sa i përket përfaqësimit në listat e kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato të pushtetit vendor. Ato kërkojnë që në nenin 65 të Kodit të përcaktohet qartë që për çdo zonë zgjedhore në listat shumemërore për zgjedhjet në Kuvend dhe zgjedhjet e organeve vendore, një në çdo tre emra duhet t’i përkasë secilës gjini. “Të paktën 30% e kandidatëve të çdo subjekti politik, për kryetarë bashkish dhe komunash, duhet t’i përkasin secilës gjini. Në të paktën 30% të listave shumemërore për zgjedhjet në Kuvend dhe zgjedhjet e organeve vendore, sipas zonave përkatëse zgjedhore, emri i parë në listë duhet t’i përkasë secilës gjini”, thuhet në kërkesën e tyre. Gjithashtu, këto shoqata kërkojnë që partive, të cilat nuk respektojnë kriterin e gjinisë, t’u kthehet lista derisa ato të plotësojnë 30 përqindëshin dhe të hiqet neni që i penalizon këto parti me 30 mijë lekë. Propozimet kanë mbërritur tashmë tek të gjithë anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore si dhe te ekspertët e PD-së dhe PS-së, të cilët po shqyrtojnë ende kapitullin e regjistrimit të kandidatëve. Në këtë pikë të Kodit janë ende dy momente (dorëheqja e zyrtarëve gjatë kandidimit dhe kufizimi i listës së kandidatëve), të cilat ende nuk kanë marrë konsensusin e forcave kryesore.
Ndryshimet
Neni 67, pika 5 ishte:
Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.Neni 67 pika 5 propozohet:
Për çdo zonë zgjedhore në listat shumemërore për zgjedhjet në Kuvend dhe zgjedhjet e organeve vendore, një në çdo tre emra duhet t’i përkasë secilës gjini. Të paktën 30% e kandidatëve të çdo subjekti politik, për kryetarë bashkish dhe komunash, duhet t’i përkasin secilës gjini. Në të paktën 30% të listave shumemërore për zgjedhjet në Kuvend dhe zgjedhjet e organeve vendore, sipas zonave përkatëse zgjedhore, emri i parë në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.Neni 67 pika 6 propozohet:
Të hiqet paragrafi ku përcaktohet gjobë 30 mijë lekë për partitë që nuk respektojnë kriterin e gjinisë. Kërkohet që partive tu refuzohet lista derisa ta plotësojnë kriterin.Në nenin 169 shtohet pika:
Votimi familjar dhe votimi në grup nga ana e zgjedhësit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj.Në nenin 171 shtohet:
Lejimi nga ana e anëtarëve të KQV i votimit familjar përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë në masën 90 000 lekë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











