Votimi, debat në Grupin e PS

May 30, 2012 | 12:46

Rama në mbledhjen e Grupit të PS

Edi Rama deklaroi dje paradite se raundi i parë mund të digjet pa kandidatë.

Braçe: Na thoni ç’do bëjmë. Ruçi: Vendosim në sallë.

Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist tregoi se PS po shkonte në raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit e paqartë. Gjatë mbledhjes së Grupit, nënkryetari i tij, Erjon Braçe, kërkoi nga kryetari Rama dhe kreu i Grupit, Ruçi, shpjegime se cili do të ishte qëndrimi i deputetëve socialistë në seancën e sotme. Por, Braçe ka marrë një përgjigje të paqartë, që sipas Ramës do të varet nga propozimet që do të vijnë nga kampi i djathtë. Kreu i Grupit Parlamentar ka thënë se çdo gjë që të vendoset para seancës. Gjithashtu edhe anëtarja e Kryesisë, Arta Dade, ka kërkuar që të qartësohej çështja e pranisë ose jo e deputetëve socialistë në sallë në raundet e para, kur për të votuar Presidentin kërkohen 84 vota. Por, paqartësia më e madhe është krijuar nga kryesocialisti, i cili u ka kërkuar deputetëve të tregojnë më shumë kujdes në deklaratat që ata bëjnë për të ardhmen e mundshme të raporteve me LSI-në. Sipas Ramës, duhet të shmangen deklaratat për mocion kundër qeverisë përmes një bashkimi të mundshëm të votave me LSI-së, apo një koalicioni parazgjedhor me të.
Rama
Gjatë fjalës së tij para deputetëve socialistë, Rama e ka cilësuar raundin e sotëm të votimit për Presidentin si të dështuar, duke paralajmëruar dhe një krizë të mundshme. “Sipas nesh, nëse raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit digjet pa kandidatë, procesi hyn në një krizë. Por, një krizë është gjithnjë një medalje me dy anë. Nga njëra anë është tuneli i pamundësisë, kurse nga ana tjetër, mundësi për ta kthyer krizën në një shans nga ku të dilet në një kuotë më të lartë se sa kuota ku ndodheshe përpara krizës. Unë dua të shpresoj se mund të ndodhë kjo e dyta dhe në fakt janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë, nëse ka vullnet të mirë nga të gjitha palët”, u shpreh Rama. Kryesocialisti u tërhoq dhe nga kushtet e vendosura dy ditë më parë nga Ruçi për bashkëpunim me maxhorancën për Presidentin.
“Sikur të gjithë të bëjmë çmos e t’i zgjidhim në një kohë të arsyeshme të katër pikat që janë ndihma që Familja Europiane kërkon prej nesh për të na ndihmuar, i japim vetes të drejtën që njëzëri t’i drejtohemi Brukselit pa dallime partiake, qeveri dhe opozitë, e t’i themi duam statusin e kandidatit për Shqipërinë në vjeshtë. Ky vizion vlen çdo përpjekje dhe çdo energji pozitive që ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, mund të gjenerojmë në këtë moment në rrugën për një Rilindje Shqiptare”, u shpreh Rama.

Diskutimet në Grupin e PS
Edi Rama:
Në takimin që pata me ambasadorët pak minuta më parë, shpreha vullnetin tonë të plotë për të qenë pjesë e dialogut, duke komunikuar, dialoguar e bashkëpunuar me çdo palë politike e mundësisht me të gjitha palët politike, nëse edhe PD e dëshiron, që të gjejnë një zgjidhje të denjë dhe të qëndrueshme për çdonjërën nga katër pikat.
Erjon Braçe: Ne kemi shprehur vullnetin tonë për të dialoguar dhe për të qenë pjesë e procesit. Por cili do të jetë qëndrimi ynë nesër në seancën plenare? Do të jemi në sallë, do të votojmë apo do të abstenojmë?
Edi Rama: Ne do të jemi në sallë. Deri tani nuk ka gjasa të dalin kandidatë, përderisa edhe nga Berisha, edhe nga Meta është thënë se s’duhet të ketë votim pa komunikuar dhe me opozitën. Për çdo zhvillim të ri do të ketë mbledhje Grupi dhe një vendim të Grupit për të vepruar në seancën e nesërme.
Arta Dade: Në raundin e parë të votimit për President, kur për zgjedhjen e kreut të shtetit duhen 84 vota, raundi quhet i ligjshëm dhe konform rregullores kur në sallë ka 84 deputetë apo dhe më pak? Si do veprohet në këtë rast?
Gramoz Ruçi: Ne duhet të jemi në sallë. çështja e 84 apo 71 deputetëve prezentë në sallë në një votim që kërkon 84 vota është një çështje që kërkon interpretim. Ne sot jemi në situatën kur ende nga maxhoranca nuk ka dalë një emër dhe jemi në pritje të kandidaturave për të thënë dhe ne fjalën tonë.
Edi Rama: Ditët e fundit ka pasur në media mendime nga më të ndryshmet lidhur me pozicionin tonë ndaj LSI-së. Unë do t’ju lutesha që të jemi më të kujdesshëm në deklaratat tona. Të mos abuzohet për një bashkëpunim për mocion me LSI-në apo një bashkëpunim zgjedhor me LSI-në, sepse ata në momentin që flasim janë pjesë e maxhorancës dhe e qeverisë, nuk janë në anën tonë. Ne kemi një komunikim me LSI-në aktualisht për çështjen e Presidentit.

Presidenti, Rama mbledh sot të “Urtët”
Kryesocialisti Rama do të mbledhë sot Këshillin Politik të PS. Në orën 9:00, anëtarët e “Grupit të të urtëve” do të diskutojnë me Ramën rreth kandidaturave që PS duhet të hedhë në tryezën e partive parlamentare, e cila është propozuar nga kreu i PS-së. Në ambientet e Partisë Socialiste përfliten dhe emra që vijnë nga “Grupi i të urtëve”, të cilët konsiderohen dhe të larguar nga politika aktive dhe gëzojnë një mbështetje më të gjerë se PS për vetë qëndrimet që ata kanë mbajtur vazhdimisht. Pjesë e “Grupit të të urtëve” janë dhe disa anëtarë Kryesie, si Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko e Arta Dade. Ndërsa profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, ka dhënë dorëheqje nga Këshilli Politik, duke e cilësuar si një forum, vendimet e të cilit nuk merren parasysh në vendimmarrjen e PS.

PS: KQZ e re pa Ristanin
Kreu socialist Edi Rama, duke iu referuar raportit të DASH, kërkoi që reforma zgjedhore të përfshijë një KQZ të re pa Ristanin. “Si mund ta imagjinojë Sali Berisha se Partia Socialiste mund të pranojë një Reformë Zgjedhore që nuk garanton: Largimin e shpejtë të Ristanit e të gjithë anëtarëve të saj pa përjashtim dhe b) Zgjedhjen e kryetarit me konsensus ose me ballafaqim kandidaturash në Kuvend?”, u shpreh Rama në fjalën e tij para deputetëve.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura