SHKUP- Në Maqedoni ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, pasi partitë politike mbrëmë i dhanë fund fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen të dielën më 5 qershor.
Për 20 ditë fushatë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur shpalosën programet dhe platformat zgjedhore para elektoratit për të kërkuar votën dhe besimin e qytetarëve.
Në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votës 1.821.122 qytetarë dhe 7.258 shtetas në diasporë.
Ky numër total i votuesve do të zgjedhj 123 deputet, prej të cilëve 3 deputetë do të vijnë nga diaspora (një deputet në njësinë Evropë-Afrikë, një nga Amerikan Veriore dhe Jugore si dhe një nga Australia dhe Azia).
Nga gjashtë njësi do të dalin nga 20 deputet. Në njësinë e 1 zgjedhore të drejtën e votës e kanë 302.864 votues, në njësinë e 2 janë 312.720 votues, në njësinë e 3 janë 291.140 votues, në njësinë e 4 janë 292.596 votues, në njësinë e 5 janë 303.686 votues dhe në njësinë e 6 janë 318.116 votues.
Në diasporë në njësinë e 7 për Evropë – Afrikë janë 4.653 votues, në njësinë e 8 Amerikë-Kanada 1.832 votues, në njësinë e 9 janë 773 votues në Australi dhe Azi. Zgjedhjet zhvillohen sipas modelit proporcional në nëntë njësi zgjedhore.
Votimet do të zhvillohen në 2.976 vendvotime, ku qytetarët do të mund të shprehin votën e lirë për partitë garuese.
Këto zgjedhje do të monitorohen nga 7.830 vëzhgues të akredituar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, prej të cilëve 7.341 nga vendi dhe 489 të huaj. Nga vëzhguesit e huaj më të numërt janë OSBE/ODHIR 234, të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së 47, të Ambasadës së SHBA-së 39, delegacionit të Komsionit Evropian 20 dhe të Këshillit të Evropës 16, ndërsa vëzhgues të tyre do të kenë edhe Ambasadat e Francës, Sllovenisë, Britanisë së Madhe, Rusisë, Çekisë, Austrisë, Turqisë, Kinës,k Hungarisë, Kroacisë, Italisë dhe Sllovakisë në Shkup, Komisioni Qëndror Zgjedhor i Kosovës dhe i Grupit ndërkombëtar të Krizës. Midis vëzhguesve të vendit më të shumtë janë nga Asociacioni qytetar MOST 4.466, ndërsa të tjerët janë nga gjashtë organizata joqeveritare.
KSHZ-ja njoftoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet, ndërsa materiali zgjedhor tashmë është vendosur te organet kompetente për zbatimin e tyre. Kutitë e votimit të dielën do të hapen në ora 07.00 dhe do të zgjasin deri në ora 19.00. (INA)
© Panorama.al











