TIRANE – Një karburant, një supermarket dhe dy banesa janë grabitur gjatë natës së të martës duke gdhirë dita e djeshme në Tiranë. Rreth një milion lekë dhe disa bizhuteri floriri janë vjedhur në banesën e një biznesmeni në Vorë të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së martës, kur në banesën e Florjan Elezit, pronar i një fabrike bojërash plastike, nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes. Autori i dyshuar i ngjarjes, tashmë i identifikuar dhe i shpallur në kërkim, Gjoni A., 15 vjeç, ka arritur të futet në vilen e biznesmenit duke përdorur një kartë nga ato që përdoren për rimbushjen e kartave SIM të celularëve. Pasi është futur brenda, në kasafortën që ka gjetur hapur në dhomën e fjetjes së Elezit, ka arritur të vjedhë rreth një milion lekë, si dhe disa bizhuteri floriri me vlerë të konsiderueshme. Policia ka arritur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim të dyshuarin e ngjarjes nëpërmjet gjurmëve të gishtave të fiksuara në derë dhe në kasafortë, pasi adoleshenti ka qenë i proceduar edhe më parë për vjedhje. Gjithashtu, në një tjetër banesë, që ndodhet në fshatin Yzberisht të Tiranës, tre persona ende të paidentifikuar, pasi kanë dhunuar shtetasen Dhurata Beka, që ndodhej në shtëpi, i kanë vjedhur asaj disa bizhuteri floriri. Burime nga Policia thanë se rreth orës 01:00 pas mesnate është denoncuar vjedhja me dhunë e një pike karburanti pranë fshatit Vaqarr. Tre persona me maska dhe me thikë, kanë rrahur dhe më pas duke kërcënuar me thikë punëtorin e pikës së karburantit, Jakup Bardhi, i kanë vjedhur atij paratë që kishte në zyrë, rreth dy mijë lekë. Ndërsa gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme është konstatuar edhe vjedhja e një supermarketi në rrugën “Qemal Stafa”. Pronari i supermarketit, Apostol Malushi, ka denoncuar në Komisariatin Nr. 4 se në biznesin e tij janë vjedhur 150 mijë lekë. Sipas burimeve nga Policia, autorët e dyshuar të ngjarjes kanë arritur të futen në supermarket duke hapur me forcë kangjellat e dritares në pjesën e pasme të tij. Përveç rastit të vjedhjes së biznesmenit, tri grabitjet e tjera mbeten ende pa autorë të identifikuar.
12 milione lekë është shuma e rrumbullakosur financiare e vjedhur gjatë një nate në Tiranë, në banesën e biznesmenit, në market dhe te karburanti në Vaqarr.











