
Kreu i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth, shprehet kundër ndryshimit të Kushtetutës së vendit.Pasi ka qenë pjesëmarrës një natë më parë në festën e birrës në Korçë, mesditën e djeshme nga Liqenasi i Korçës, ambasadori i OSBE-në theksoi se duhen veprime të matura për të ndërmarrë një veprim të tillë. “Mendoj se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është një Kushtetutë e mirë. Çdo vend duhet të bëjë kujdes sa herë që kryhen ndryshime. Të tilla ndryshime apo amendamente duhet të bëhen vetëm pasi të jenë kryer bisedime të shëndosha mes kampeve politike”, tha vollfarth, i cili nuk harroi të bëjë apel për bashkëpunim në politikën shqiptare, në mënyrë që të arrihen ato që kërkohen për reformën zgjedhore. “Partitë duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe konsensusin, për të hyrë në bisedime për Kodin Zgjedhor dhe në këtë reformë të përfshihen gjithashtu partitë e vogla. Konsensusi arrihet vetëm nëpërmjet dialogut”, tha vollfarth. Ai tha para medias se imediate është reforma zgjedhore dhe pret që palët të nisin dialogun për këtë çështje në shtator. “Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet, duke marrë në konsideratë edhe 31 rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të dala nga zgjedhjet e 2009-s, duke përfshirë edhe raportin final që pritet të dalë nga OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të 2011-s. Kjo do të vlente për zgjedhjet e ardhshme. Ne gjithashtu presim që reforma e Kodit Zgjedhor të jetë pjesë e një reforme më të gjerë, që do të nisë në Parlament. Është e nevojshme gjithashtu që reforma të shtrihet jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në drejtësi”, deklaroi vollfarth. Kreu i OSBE-së nuk ka ngurruar të prononcohet edhe për debatet e fundit në distancë për ndryshimet kushtetuese, duke u shprehur se palët duhet të kenë kujdes sa herë që Kushtetuta ndryshon. vollfarth theksoi në deklaratën e tij se nga ana e politikës shqiptare duhen riparë me imtësi rekomandimet e dhëna nga ODHIR, në mënyrë që reforma zgjedhore të jetë e gjerë dhe të përfshijë institucione si Parlamenti. “Presim një reformë të gjerë që duhet të nisë nga Parlamenti”, tha përfaqësuesi i OSBE-së, ndërsa e vuri theksin e deklaratës së tij tek ndryshimet në Kushtetutë. Kreu i OSBE-së e bëri këtë deklaratë ndërsa vizitoi zonën e Liqenasit në Korçë, për të parë nga afër masat e policisë kufitare shqiptare me shtetin maqedonas. Ndërkaq, një ditë më parë foli edhe ambasadorja gjermane nga Korça.
“Është e nevojshme të kemi një Kod të ri Zgjedhor. Ripërcjell edhe një herë të njëjtin mesazh ndaj forcave politike, të cilat duhet të kenë më tepër bashkëpunim”, u shpreh ajo. E pyetur mbi vlerësimin e saj për zgjedhjet e 8 majit tani që ato kanë përfunduar dhe pritet vetëm zhvillimi i procesit elektoral në një komunë që të dalë edhe rezultati përfundimtar, diplomatja gjermane tha se nuk mund të flasë pa dalë më parë raporti i ODIHR-it.
Berisha: Kushtetuta, jo statut partie
Kushtetuta nuk është statut partie, i cili mund të ndryshohet sa herë që njëra palë apo tjetra kërkon të ndërhyjë në të. Kështu ka reaguar kreu i maxhorancës, Sali Berisha, ndaj kërkesës së opozitës. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Berisha tha se kreu i opozitës duhet të kërkojë falje që pengoi liberalizimin e vizave, para se të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës. “Atëherë bëhesh i besueshëm, sepse tregon se ke dhembshuri e respekt për tjetrin, tregon se një gabim të rëndë që bëre di ta korrigjosh, por jo të kërkosh paketë karrigesh e të mendosh se Kushtetuta është statut partie. Problemi është se këtyre 347 mijë shqiptarëve më shumë që kanë dalë këta gjashtë muaj, do të ishte në dinjitetin e atyre që bënë gjithçka për t’i penguar t’u dërgonin një letër ndjese apo të bënin një ndjesë publike”, tha Berisha.
Rama: Gabuam me Kushtetutën
Kreu i opozitës, Edi Rama, është shprehur se opozita ka gabuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Për zgjedhjet e ardhshme Rama ka kërkuar garanci kushtetuese që të mos përsëriten me manipulimet dhe problemet sipas tij, që e penalizuan Shqipërinë dhe tensionuan situatën. Për herë të parë, Rama pranoi se ndryshimet kushtetuese që realizoi në bashkëpunim me maxhorancën ishin të gabuara. Sipas tij, këto ndryshime ndikuan negativisht për opozitën në zgjedhjet e vitit 2009. “Nuk është përgjigje e lehtë dhe e thjeshtë, por unë mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes se zgjedhjeve të 2009-s, aq më shumë mund të pranojmë përfundimin se me ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë siç do të duhet të bëhej”, ka deklaruar Rama.
Ceka: Ndryshimet e 2008-s shmangën krizën
Kreu i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka shprehet kundër ndryshimeve në Kushtetutën e vendit. Sipas Cekës, në ditët e sotme nuk mund të flitet për të njëjtën situatë si ajo e vitit 2008. Sipas tij ndryshimet e vitit 2008 kishin për qëllim shmangien e një aksidenti elektoral, atë të zgjedhjeve të parakohshme. “Ndryshimet e vitit 2008 kishin për qëllim shmangien e një aksidenti elektoral, atë të zgjedhjeve të parakohshme”, tha dje Ceka për “Abc News”. Kreu i PAD-të shtoi se me vendosjen e zgjedhjes së Presidentit me 71 vota do të shmangej një krizë për të ardhmen. Ceka vlerësoi si tepër të rëndësishme ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërkaq, debatet midis maxhorancës dhe opozitës lidhur me mundësinë e ndryshimeve kushtetuese kanë vazhduar gjatë, duke nxjerrë në pah ndryshimet thellësisht të kundërta mes të dyja kampeve politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, ka thënë se ndryshimet kushtetuese mund të sjellin një kolaps institucional dhe se Kushtetuta e vendit nuk mund të ndryshohet sa herë që e kërkon njëra palë e politikës. Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndryshe nga ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, tha se për zgjedhjen e Presidentit duhen ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë.
Korçë/Dhorjela Demkolli
© Panorama.al











