Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, u shpreh nga qyteti i Elbasanit rreth vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës se “pas këtij vendimi pres të ketë një zhvillim paqësor në Tiranë dhe në të gjithë vendin si edhe të respektohet ligji”. Gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit, kreu i OSBE-së theksoi se “ky vendim është i rëndësishëm për sa i përket vendosjes së një tjetër qartësie për administrimin e zgjedhjeve dhe për të ardhmen e Tiranës”. “Gjithë vendi ka nevojë për një administrim dhe vendimmarrje sa më të mirë, kur vjen puna për integrimin në BE”, nënvizoi Volfarth, duke shtuar se shteti i së drejtës dhe respektimi i ligjit është shumë i rëndësishëm dhe shpresa ime është që të ketë një administrim sa më të mirë të vendit. Ambasadori Volfarth vizitoi institucionet kryesore të Elbasanit, si Bashkia, Prokuroria, Gjykata dhe Prefektura. Kreu i OSBE-së e cilësoi si mjaft të rëndësishëm këtë tur vizitash në Elbasan, duke theksuar se “doja të shihja punën e këtyre institucioneve, të cilat bazohen në shtetin e së drejtës, në mënyrë që të shoh edhe mundësinë për bashkëpunim dhe mbështetje në të ardhmen”.











