Volfarth: KQZ-së t’i jepet një zgjidhje afatgjatë dhe e besueshme

Jul 10, 2012 | 14:00

Reforma zgjedhore ka ngecur, dhe tri ditë para skadimit të mandatit trejavor të Komisionit të posaçëm Parlamentar palët ende nuk kanë rënë dakord për çështjet si formulimi i KQZ-së dhe hapja e kutive të materialeve zgjedhore. Edhe pse ekspertët kanë përfunduar misionin e tyre përafrues të propozimeve, vendimi politik mes PS dhe PD mbetet ende larg, kryesisht për fatin e KQZ-së aktuale dhe mënyrën e kompozimit të Komisionit të ri Zgjedhor. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, kryesisht për KQZ-në, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, takoi në selinë rozë kryesocialistin Edi Rama. Pas takimit, që zgjati më shumë se një orë, zyra e Edi Ramës nuk pati asnjë njoftim, ndërsa vetë Volfarth u kërkoi palëve që zgjidhjen për KQZ-në ta shohin në një plan më afatgjatë. “KQZ-së t’i jepet një zgjidhje afatgjatë dhe e besueshme për palët dhe qytetarët”. Në fokus të mesazhit të kreut të organizatës ndërkombëtare që asiston reformën zgjedhore në vend ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. A e mbështet OSBE-ja propozimin e PS për një KQZ me rotacion dhe kryetar të zgjedhur nga institucione, Volfarth tha: “Fola për një zgjidhje që sheh përpara, e cila mund ta përfshijë edhe atë element. U takon palëve të dalin me një zgjidhje të përbashkët. Mandati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbaron para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Ky është momenti për një zgjidhje që sheh nga e ardhmja, që mund të përfshijë edhe atë element. Për një zgjidhje me sytë nga e ardhmja, që ofron shkallën maksimale të besimit të qytetarëve të këtij vendi te sistemi”. Edhe pse afati i Komisionit po përfundon, Volfarth tha se më e rëndësishme është zgjidhja që palët do t’u japin çështjeve që diskutohen. “E sigurt është që dialogu vazhdon. Ajo çka ka më shumë rëndësi se koha, është cilësia. Transparenca është shumë e rëndësishme, ndershmëria është shumë e rëndësishme dhe pjesëmarrja në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kështu që unë do të bëja thirrje për një mbështetje publike për një zgjidhje të shpejtë. Ekziston një mundësi për gjetjen e asaj zgjidhjeje. Unë, sigurisht, shpresoj që zgjidhja të jetë afër. Janë gurët përfundimtarë politikë ata që nevojiten për të ndërtuar urën e zgjidhjes”, u shpreh Volfarth.

© Panorama.al

Te lidhura