
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfart, kërkoi dje miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë sa i përket heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë takimit që pati me Presidentin Bujar Nishani. “Ambasadori Volfart vlerësoi zhvillimet e shpejta që Shqipëria ka bërë në fushën e reformave dhe demokratizimit të institucioneve dhe shprehu besimin se institucionet dhe politika shqiptare do të vazhdojnë në këtë rrugë edhe sa i përket projektligjit për heqjen e imunitetit, i cili do t’i shërbejë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e OSBE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me ODIHR-in dhe ekspertët e tij në kuadër të reformës zgjedhore, e cila u përmbyll me sukses gjatë këtij muaji. Sipas zyrës së shtypit, Presidenti nënvizoi gjithashtu kontributin personal të ambasadorit Volfart dhe vlerësoi rolin e tij për gjetjen e konsensusit politik, si në rastin e reformës së Kodit Elektoral dhe vijimin e punës për projektligjin për heqjen e imunitetit. “Presidenti Nishani vuri theksin në konsolidimin e sistemit gjyqësor si një sfidë vendimtare për vendin. Kryetari i shtetit e siguroi kreun e Prezencës së OSBE-së për bashkëpunimin e ngushtë të tij me të gjitha institucionet shtetërore, politike dhe shoqërinë civile në mënyrë të hapur dhe transparente, për të dhënë kontributin e tij institucional në zhvillimin demokratik dhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.











