Vokshi fiton gjyqin, Braçe dënohet me 1 milion lekë për shpifje

Feb 10, 2012 | 10:31
Albana Vokshi

TIRANE – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, fitoi dje një tjetër betejë ligjore me një nga deputetët e Partisë Socialiste, të paditur prej saj për “shpifje”. I padituri i radhës, i detyruar për të dëmshpërblyer deputeten Vokshi, është deputeti socialist Erjon Braçe. Sipas një vendimi të shpallur dje nga gjyqtarja Fatime Decolli, deputeti Braçe është i detyruar t’i paguajë Vokshit një shumë prej një milion lekësh. Vendimi u shpreh pas përfundimit të gjashtëmbëdhjetë seancave gjyqësore. Padia e Vokshit kundër Braçes u regjistrua në gjykatë në shtator të vitit 2010. Kjo padi ishte pjesë e një “serie” prej nëntë padish të regjistruara në shtator të vitit 2010 në Gjykatën e Tiranës kundër nëntë deputetëve të PS-së, ku në të gjitha rastet paditëse ishte Albana Vokshi. Paditë e Vokshit u regjistruan pas pretendimeve të saj se disa deklarata të deputetëve të opozitës, i kishin shkaktuar dëm moral në dinjitet dhe në jetën e saj. Pas vendimit të Gjykatës ka reaguar dje edhe deputeti Braçe. Në faqen e tij në Facebook, ai ka thënë: “10 milionë lekë për të mbyllur gojën. Taksën e lirisë e vendosi sot gjykatësja Fatime Deçolli. Pa asnjë fakt, duke refuzuar çdo provë. Me vetëm dy fjali. Njëra, pranohet padia e Albana Vokshit. Tjetra, masa e dëmshpërblimit 1 milion lekë të reja. Vendim të arsyetuar edhe tani pas 5 orësh nuk ka. E refuzoj, nuk e pranoj dhe do ta kundërshtoj këtë vendim menjëherë. Por sot vetëm nisi, nuk u mbyll. Çështja nuk është personale, por mbështetet fort në një interes publik, fushat e naftës në Jug”. Sipas tij, “për gjykatësen transparenca nis tani. Beteja me të është betejë kundër padrejtësisë si sistem. Unë jam i panumërti shqiptar që e pësoi prej saj. Edhe kjo është beteja ime. Unë kam prova”.

© Panorama.al

Te lidhura