Dëshmori i Atdheut përcillet me një ceremoni madhështore.
Vogli s’i përgjigjet apelit, “nderoi kombin në Afganistan”
Kapiten Feti Vogli nuk iu përgjigj tri herë radhazi apelit të komandantit të Batalionit të Operacioneve Speciale, Dritan Demiri. “Kapiten Feti Vogli! Kapiten Feti Vogli! Kapiten Feti Vogli! Komandanti i Grupit, ku është kapiten Feti Vogli?”. Komandanti i Grupit njoftoi drejtuesin e tij se kapiten Vogli kishte vdekur katër ditë më parë në Afganistan. “Ai vdiq duke mbrojtur jetën e shokëve dhe duke nderuar kombin e tij më 20 shkurt 2012 në Afganistan”. Apeli i fundit ishte momenti më prekës i ceremonisë rreth 12 orë të përcjelljes për në banesën e fundit të kapiten Voglit. Më pas komandanti i Batalionit i dorëzoi të atit të ushtarit të forcave speciale flamurin kuq e zi, me të cilin ishte mbuluar arkivoli i Feti Voglit. Tri të shtëna me armë në ajër dhe muzika funebër shoqëroi varrimin e dëshmorit të atdheut.
Mbërritja në atdhe
Ishte ora 03:05 e ditës së djeshme kur një avion amerikan i US Air Force u ul në Aeroportin e Rinasit për të sjellë trupin e pajetë të ushtarakut shqiptar. Pasi iu bënë
nderimet e fundit nga kolegët amerikanë, ushtarakët shqiptarë morën në krah arkivolin dhe e nxorën nga avioni, për ta drejtuar te makina e funeralit. Në Rinas kishin dalë familjarë dhe të afërm të Voglit, si dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami e shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi. Rrugët e boshatisura në atë orë të natës ndihmuan kortezhin. Ndalesa e parë ishte në Morgun e Qendrës Spitalore Universitare, ku u ndërrua edhe arkivoli, nga ai alumin, siç e kërkon rregullorja amerikane, në një prej druri. Në orën 05:40, kortezhi u drejtua për në Baldushk, ku zija ka rënë prej katër ditësh. Për rreth katër orë trupi i pajetë i kapitenit qëndroi në shtëpinë e prindërve dhe më pas, nën muzikën funebre, kortezhi morën rrugën për në Pallatin e Kongreseve.
Homazhet
Mijëra qytetarë bënë dje homazhe për të parin ushtarak shqiptar të rënë në Afganistan. Arkivoli qëndronte në qendër të hollit, i mbuluar nga flamuri kuq e zi dhe karafila të kuq. Sipas protokollit, zyrtarët e lartë i nisën homazhet në orën 12:00. Fillimisht ishin ministri Imami e shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjunkshi. Më pas Kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli dhe Presidenti Topi. Në ceremoni nuk munguan as lideri i opozitës, Edi Rama, ambasadorët e huaj në vendin tonë dhe ish-kryeministri Fatos Nano. Të gjithë kishin të vendosur në krah një shirit të zi. Rreth 60 minuta trupi i pajetë i kapitenit qëndroi në hollin e Pallatit të Kongreseve. Më pas, i vendosur në shtratin e një topi, ai u nis për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku do të prehet përgjithmonë.
Ceremonia
Pas dorëzimit të flamurit kuq e zi me të cilin ishte mbuluar arkivoli, babait të kapitenit, trupa të Batalionit të Forcave Speciale ku bënte pjesë Feti Vogli, nën shoqërimin e Orkestrës Frymore, e kanë mbajtur trupin e shokut të tyre në krah për ta dërguar në banesën e fundit në parcelën ku prehen edhe pilotët të rënë dëshmorë, ndër vite, në krye të detyrës. Pas ceremonisë fetare, përcjellja për në banesën e fundit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, u bë me tri breshëri automatike nga skuadra e pushkatarëve dhe i mbuluar me dhjetëra kurora me lule. Më pas të afërmit dhe miqtë e kapitenit janë drejtuar në Shtëpinë e Ushtrisë, ku është shtruar edhe dreka e përmotshme.
Medalja
Me cilësinë e Presidentit dhe Komandantit të Përgjithshëm, kryetari i shtetit shqiptar, Bamir Topi, i ka akorduar kapiten Feti Voglit “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Pasi vendosi një kurorë me lule, Presidenti Topi u përul me respekt dhe nderim para trupit të pajetë të kapiten Voglit duke u shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta dhe pikëllimin e thellë familjarëve të “Dëshmorit të Atdheut”. Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu veprën dhe heroizmin e kapiten Voglit duke lënë një shënim ngushëllimi në Librin e Zisë të hapur me këtë rast. Gjatë fjalës së mbajtur nga shefi i Shtabit, kreu i shtetit ka qëndruar pranë Kryeministrit Berisha dhe kryeparlamentares Topalli.
Fjala e shefit të Shtabit të Përgjithshëm
Gjunkshi: Vogli ra si hero, familja ka mbështetjen tonë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, mbajti fjalën e rastit përpara se trupi i kapiten Voglit t’u drejtohej Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut. “Fetiu ra në krye të detyrës, siç bien burrat shqiptarë; si trim, si hero. Në këto çaste shumë të vështira për familjen tuaj, për të gjithë ne, në emër të FA të Republikës së Shqipërisë, shprehim dhimbjen tonë më të thellë dhe ngushëllimet tona më të përzemërta për ushtarakun trim, besnik, hero”, u shpreh Gjunkshi. “Ne garantojmë sot se, anëtarët e familjes së tij do të kenë në çdo kohë respektin dhe mbështetjen e pakursyer të Forcave të Armatosura, të Ministrisë së Mbrojtjes, të qeverisë, shtetit dhe popullit shqiptar, të cilët u solidarizuan dhe na mbështetën të gjithëve në këto momente të vështira. Me dhimbjen tonë janë bashkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatët e NATO-s dhe gjithë koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit”.
Ambasadori i BE
Sekui i lë vendin Nanos
Pas vendosjes së kurorës me lule, krerët e shtetit lanë shënimet e tyre në librin e ngushëllimeve. Fillimisht ishin ministri i Mbrojtjes, Arben Imami së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Më pas, sipas protokollit, një shënim për kapiten Voglin lanë edhe Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe në fund Presidenti Bamir Topi. Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar mesazhet e ngushëllimit as nga ambasadorët e huaj të akredituar në vendin tonë. Në një nga këto momente, pa e vënë re njëri-tjetrin, drejt librit të ngushëllimeve u drejtuan ambasadori i KE-së, Etore Sekui dhe ish-kryeministri Fatos Nano. Në këtë rast, diplomati italian i ka hapur rrugën Nanos, duke e lënë atë të parin, të shkruajë diçka.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











