Vodhi 45 zogj gjela deti, tregtari dënohet me 100 orë punë pa pagesë

Aug 9, 2011 | 11:07
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Konkurrenca “e pandershme” ndaj konkurrentit në shitjen e gjelave të detit i kushtoi dënimin me 100 orë punë të papaguar për llogari të Bashkisë Kamzë një 40-vjeçari nga ky vend. Shpëtim Zelia është deklaruar fajtor nga Gjykata e Tiranës për vjedhjen e 45 zogjve gjela deti. Zelia u dënua me 4 muaj burg, por gjykata e pezulloi këtë lloj dënimi dhe vendosi ndaj tij punë të detyruar në shërbim të komunitetit. Sipas vendimit të gjykatës, i shpallur pak ditë më parë, i pandehuri Zelia i kishte vjedhur zogjtë e detit tregtarit tjetër, Hysen Lila, në 18 qershor të këtij viti në banesën e tij në Kodër-Kamzë. Një ditë më parë ai kishte 45 zogj me vlerë 250 000 lekë në Fier dhe i ka lënë në oborrin e shtëpisë brenda disa arkave. Por, teksa është ngritur në orën 04.30 për të marrë zogjtë dhe për t’i nxjerrë në treg, nuk i ka gjetur më. Sipas vendimit, Lila menjëherë ka shkuar tek banesa e të pandehurit Shpëtim Zelia, i cili shet në treg të njëjtin mall me të. Pranë banesës së të pandehurit, Lila ka gjetur një nga arkat në të cilat kishte transportuar zogjtë e tij. Më pas, ai ka takuar të pandehurin, por prej tij i është mohuar vjedhja e zogjve.                    ar.ba

PENDESA

Sipas vendimit të Gjykatës, gjatë shqyrtimit gjyqësor i pandehuri Zelia e ka pranuar akuzën e vjedhjes së zogjve të detit, si edhe ka treguar pendesë. Përveç pendesës, në masën përfundimtare të dënimit Gjykata e Tiranës ka marrë parasysh faktin që ka një fëmijë të sëmurë rëndë, gruan pa punë dhe se Zelia është i vetmi që siguron të ardhurat për familjen.

© Panorama.al

Te lidhura