Zëvendësambasadori i Zvicrës në Kosovë u shkarkua nga detyra nga autoritete zvicerane, pas publikimit në ueb dhe në mediat prishtinase të një videoje të marrë nga kamerat e sigurisë, ku diplomati dukej duke marrë pa paguar proteina me vlerë 30 euro në palestrën ku ishte regjistruar. Sipas raportimeve të para sapo ndodhi ngjarja, diplomati kishte parë njëherë rrotull mos kishte njeri dhe më pas kishte marrë pakon me proteina, e cila i dëmtoi karrirën politike, vetëm për të kursyer 30 euro. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, vendimi për tërheqjen e tij është ndërmarrë duke pasur parasysh se përmes rastit të ndodhur, është shkaktuar dëmtim imazhi, raportoi portali “20min.ch”. Policia e Kosovës nuk e ka hetuar fare rastin dhe nuk do të ndërmarrë asnjë masë kundër diplomatit. Numri dy i Zvicrës në Kosovë u kap nga kamerat e sigurisë së palestrës ku ai shkonte në Prishtinë, duke marrë pa paguar proteina në vlerë 30 euro. Ai i pagoi paratë të nesërmen, por e gjithë situata u bë e bujshme në media dhe
arriti deri në kryeqytetin zviceran.











