
VLORE – Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të tjera nga mekanizmi i grabitjes së bankës tri ditë më parë, megjithatë autorët e ngjarjes mbeten ende të paidentifikuar. Burime nga policia lokale kanë thënë dje se grupi hetimor nuk ka ende asnjë person të dyshuar si autor të grabitjes së bankës. Ngjarja ndodhi pranë sheshit “Pavarësia” të Vlorës dhe nga burime jozyrtare pohohet se shuma e grabitur arrin rreth 15 milionë lekë. Ditën e djeshme, policia dhe prokuroria kanë vazhduar të marrin në pyetje punonjës të bankës, rojën privat, klientët që ishin brenda ambienteve të filialit, si dhe persona të tjerë me dijeni për krimin. Policia ka thënë se në makinën me të cilën u krye grabitja janë gjetur gjurmë, të cilat janë dërguar për ekzaminimet e nevojshme. Policia tha se gjithashtu janë gjetur gjurmë dhe në gëzhojat e armës automatike me të cilën grabitësit qëlluan në ajër disa herë në vendin e krimit. Provat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të përcaktuar se kujt i përkasin gjurmët e gjetura. Sipas policisë, është sqaruar se makina tip “Mercedes Benz”, 220 me portobagazh ngjyrë gri, me targa VL 8275 C, e cila është përdorur nga hajdutët, i ishte grabitur një qytetari të Vlorës pak kohë para kryerjes së vjedhjes së bankës në qendër të qytetit. Po kështu, duke iu referuar thënieve të dëshmitarëve, policia ka sqaruar se në grabitje kanë marrë pjesë katër persona të maskuar dhe të armatosur. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dje kanë kontrolluar zonën e Fabrikës së Tullave, si dhe lagjen “Lirim”, ku janë parë për herë të fundit grabitësit e bankës pas vjedhjes së shumës së parave dhe braktisjes së automjetit të dytë që kanë përdorur në krim. Policia tha se mjeti tip “Mercedez Benz”, me katër persona brenda, i është afruar bankës dhe më pas ka ndaluar. Prej tij kanë zbritur tre persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët kanë hyrë në bankë duke neutralizuar rojën. Në këtë kohë, drejtuesi i makinës ka dalë nga mjeti për të vëzhguar situatën rreth bankës. Nën kërcënimin e armës, tre personat kanë grabitur klientët, si dhe arkën e bankës dhe më pas janë larguar duke qëlluar në ajër. Ata kanë hipur në makinën që i priste dhe më pas kanë qëlluar me armë dhe nga automjeti. Policia e Vlorës tha dje se efektiva të saj, por edhe policët privatë kanë shkëmbyer zjarr me grabitësit pa mundur t’i neutralizojnë ata. q.b











