
Një sherr i rëndomtë çon në ekzekutimin e 25-vjeçarit Altin Nelaj në Vlorë. Krimi ndodhi në orën 11:30, në vendin e njohur si “Rruga e Re”, në vendin e furgonëve të linjës Vlorë-Tiranë dhe në prani të shumë dëshmitarëve.Për këtë arsye dhe provat e gjetura në vend, policia e qytetit zbardhi në kohë rekord ngjarjen që tronditi zonën në mes të ditës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, nga të dhënat e mbledhura rezulton se vrasësit e 25-vjeçarit dyshohet se janë dy vëllezërit: Ardemir Trokaj, 30 vjeç dhe Geno Trokaj, 25 vjeç, lindur në Llakatund dhe banues në qytetin e Vlorës. Ata akuzohen se në bashkëpunim me dy persona të tjerë kanë qëlluar me një plumb në zemër Altin Nelajn, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme atij.
Nga hetimet intensive të kryera nga specialistë të hetimit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së qarkut Vlorë ka rezultuar se dy vëllezërit Trokaj kanë zbritur nga një automjet tip “Ford Mondeo” me portobagazh, me ngjyrë jeshile e me targa italiane, AH 060 GM. Dëshmitë e personave në vendngjarje kanë zbardhur se ka qenë Ardemir Trokaj, i cili e ka ndaluar Nelën, që në ato momente po ecte në këmbë, pasi kishte lënë makinën në një lavazh. Aty janë përplasur sërish me fjalë për konfliktin e mbartur prej pak ditësh, derisa 30-vjeçari ka nxjerrë një pistoletë tip “Miniblou” dhe ka shtënë mbi viktimën një herë, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë autorët janë larguar më këmbë nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët mes pallatesh, ndërsa kanë braktisur dy mjetet, një “Ford Mondeo” dhe një tjetër tip fuoristradë “Mercedes-Benz”, ngjyrë e zezë, me targa VL 0566 D, e gjetur disa metra më larg, e cila mendohet të jetë e bashkëpunëtorëve të autorit në vrasje. Grupi hetimor bllokoi dy makinat në cilësinë e provës materiale si dhe një gëzhojë të armës pistoletë me të cilën u krye vrasja. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur viktimën në lëvizje dhe sapo ai ka zbritur duke ecur më këmbë, kanë zbritur dhe ata. Sipas hetimeve paraprake, viktima me autorin e vrasjes kanë pasur njohje prej kohësh dhe disa ditë më parë kanë pasur mes tyre një grindje banale mes shokësh. Përplasja e djeshme ka qenë fatale mes dy të rinjve. Nuk dihet ende se për çfarë konkretisht është zhvilluar debati që solli më pas ekzekutimin, pasi të katër personat e përfshirë në krim janë shpallur në kërkim. Paraprakisht, nga policia pohohet se bëhet fjalë për batuta mes shokësh, por që janë marrë si ofendim nga pala tjetër. Fakti i braktisjes së mjeteve në vendin e vrasjes ka lënë të dyshohet se krimi ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Pas identifikimit të autorëve të vrasjes policia ka shpallur në kërkim personin që kreu vrasjen si dhe bashkëpunëtorët e tij. Materialet ndaj tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të kryera në kushtet e bashkëpunimit. Menjëherë pas ngjarjes, policia ngriti postblloqe të shumta, por dhe pas identifikimit të autorëve kërkimet për kapjen e tyre dështuan deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Viktima
Viktima, Altin Nelaj, 25-vjeçar, ka lindur në qytetin e Beratit, por banon në Vlorë prej vitesh, në lagjen “Kushtrimi”. Prej disa muajsh, Nelaj ka hapur pranë shtëpisë së tij një pikë interneti. Njihej nga shokët dhe miqtë e tij si njeri i qetë dhe shumë i rregullt dhe ata janë tronditur kur kanë mësuar se ishte vrarë. Po sipas tyre, një natë para ekzekutimit ai ka qenë me ta deri në orët e vona të mbrëmjes dhe ata nuk kishin dalluar ndonjë shqetësim, madje ishte nisur për në shtëpinë e tij i qetë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











