
VLORE – Pas vendimit të Gjykatës për anulimin e vendimit të sekuestrimit të fabrikës së birrës “Norga” nga Përmbarimi, përfaqësuesit e kësaj të fundit vetëm dje i hoqën vulat e dyerve. Fabrika ende nuk mund të funksionojë, pasi sipas pronarëve, punonjësit e Përmbarimit kanë nxjerrë jashtë funksionit të gjithë sistemin e fabrikës. Mjaft prej aparaturave janë hequr, ndërsa përmbarimorët ende nuk i kanë sjellë. Sipas pronares së fabrikës, Bukurije Haxhiraj, do të duhen financime të konsiderueshme për të rivënë fabrikën në punë në gjendjen e mëparshme. “Gjithçka është shkatërruar nga përmbaruesit ditën që kanë kryer sekuestrimin e jashtëligjshëm. Ata duhet ta paguajnë dëmin e shkaktuar”, u shpreh ajo. Punëtorët u paraqitën që në mëngjes për të vijuar punën, por vetëm në orët e mesditës u hoqën vulat e sekuestrimit nga dyert e fabrikës. Në një deklaratë ku përfaqësuesja e fabrikës pak kohë më parë i bënte apel Kryeministrit, Presidentit e Kryetares së Parlamentit për ndërhyrje, thuhej se “Ky veprim po bëhet, edhe pse subjekti kredimarrës ka likuiduar për një periudhë kohe katërvjeçare qëkur ka filluar marrëdhënia e kredisë në favor të kësaj banke, shumën e 8 milionë eurove, në një kohë kur afati i kredimarrjes ishte 6 vjet. Kjo luftë e madhe e paprecedentë dhe pa asnjë bazë ligjore ka thjesht si synim jo likuidimin korrekt të kredisë, por shkatërrimin dhe nxjerrjen jashtë tregut të kompanisë, konkurrente e rëndësishme në tregun shqiptar”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga përfaqësuesja e kësaj shoqërie, Bukurie Haxhiraj. q.b











