Vlorë, peng për 25 mijë euro

Feb 25, 2012 | 13:58

I kërcënuan familjen në Durrës. Policia ndërhyn në kohë, evitohet një krim i mundshëm.

Merret peng dhe i kërkojnë në këmbim të lirimit 25 mijë euro. Por, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë së Vlorës, ngjarja përfundoi me lirimin pa pasoja të pengut dhe arrestimin e katër të rinjve vlonjatë. Burime të Policisë bënë të ditur se organizuan operacionin e koduar “Spitalla”, duke arrestuar shtetasit Aldi Rexhaj, 23 vjeç, nga fshati Kropisht i Vlorës, vëllain e tij, Arten (Afrim) Rexhaj, 32 vjeç, Aranit Dedenika, apo siç njihej ndryshe si Bojku, 30 vjeç, nga Vlora dhe Fiodor Laraj, 28 vjeç, po nga Vlora. “Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin më 22 shkurt 2012 kanë rrëmbyer shtetasin me inicialet G. F., 29 vjeç në Spitallë të Durrësit dhe e kanë mbajtur atë në një banesë të marrë me qira në qytetin e Vlorës me qëllim për të përfituar një sasi të konsiderueshme lekësh nga familjarët e tij”, bëri të ditur pas arrestimeve Policia e Vlorës. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, katër të arrestuarit vlonjatë dhe i riu durrsak kanë qenë për disa kohë së bashku si emigrantë në Greqi. Pikërisht në këtë shtet dyshohet se ka nisur edhe konflikti mes tyre, që precipitoi me marrjen peng të 29-vjeçarit. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se personat kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm, duke trafikuar lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Por humbja e një sasie të konsiderueshme kanabisi ka vënë në dyshime katër të rinjtë vlonjatë se lënda mund të ishte fshehur nga ana e 29-vjeçarit G.F. Ky i fundit ua ka mohuar fshehjen, por konflikti ka vijuar. Ata i kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme t’u kompensonte paratë, insistim që e kanë vijuar edhe në Shqipëri. Më 22 shkurt, katër të rinjtë, dy prej të cilëve vëllezër, janë organizuar duke shkuar me një mjet në Spitallë të Durrësit, aty ku banonte 29-vjeçari. Pasi janë takuar, ata e kanë futur të riun në mjet dhe më pas kanë udhëtuar drejt Vlorës duke e çuar në një banesë. Më pas kanë telefonuar familjen e pengut duke iu kërkuar 25 mijë euro në këmbim të lirimit. Fillimisht familja ka ngurruar ta denoncojë ngjarjen, por më pas ata kanë vënë në dijeni Policinë e Vlorës. Kjo e fundit është organizuar në një kohë rekord dhe nëpërmjet të dhënave të siguruara nga familja, por edhe metodave të tjera speciale, kanë mundur të lokalizojnë banesën ku mbahej pengu. Duke bashkëpunuar ngushtë me policinë, familjarët kanë rënë dakord me gjobëvënësit të takoheshin në Vlorë dhe t’u dorëzonin paratë. Takimi është lënë në afërsi të një karburanti, por ndërkaq policia kishte rrethuar zonën, duke bërë edhe arrestimin e katër personave dhe lirimin e pengut. Burime të Policisë bënë të ditur se pengmarrësit kishin ushtruar dhunë ndaj 29-vjeçarit, por pa pasoja për të. Ata akuzohen për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Mësohet se 29-vjeçari durrsak nuk e ka pranuar dyshimin paraprak të policisë se shkak i pengmarrjes kishin qenë konfliktet për shkak të trafikut të drogës në Greqi. Policia është duke hetuar edhe në këtë pistë, por ende nuk ka akuzë konkrete për trafik droge, duke qenë se vepra kriminale dyshohet të jetë kryer në Greqi dhe nuk ka ende prova për një fakt të tillë.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura