
VLORE- Ndërmarrja e Ujësjellësit kreu një aksion duke prerë rreth 100 lidhje të tubacionit të furnizimit me ujë të qytetarëve të Vlorës. Aksioni për ndërprerjen e ujit u adresohej personave që nuk kanë kryer pagesat e konsumit të ujit prej disa muajsh. Sipas përfaqësuesve të kësaj ndërmarrjeje, po operojnë në terren katër grupe punonjësish në zona të ndryshme për prerjen e ujit për familjet që nuk kanë kryer pagesat e konsumit të saj. Prerjet e tubacioneve kanë filluar para 5 ditësh. Ndërkohë, mësohet se ky aksion ka nisur pasi më parë ishin paralajmëruar të gjitha familjet që nuk kishin paguar ujin e konsumuar. Ata që nuk i janë përgjigjur njoftimit për të kryer pagesat në sportelet e kësaj ndërmarrjeje, tashmë po vuajnë mungesën e ujit. Fillimisht aksioni është përqendruar në zonën e Skelës, fabrikës së Orizit, Centrales dhe zonës së Coles. Nga ky aksion janë prerë më shumë se 100 tubacione. Punonjës të Ujësjellësit u shprehën se nuk do të rilidhen linjat e tubacioneve, derisa familjet të kryejnë pagesat. Mësohet se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa të ndërgjegjësohen qytetarët për të kryer pagesat e konsumit të ujit. Madje, ata që janë debitorë në sasi të mëdha, si për familje ashtu dhe për firma private, do të dërgohen në ndjekje penale. q.b











