
Masakrohet për hakmarrje me breshëri plumbash një 60-vjeçar në Selenicë të Vlorës.Baftjar Llanaj është viktima të cilit iu zu pritë nga autorët ndërsa kthehej për në qytetin bregdetar. Nga plumbat është plagosur edhe një prej dy atentatorëve, i cili ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme në rrugën që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën, në vendin e quajtur “Bishti i Malit”. Sipas burimeve të Policisë së Vlorës, 60-vjeçarit Llanaj i është zënë pritë duke u qëlluar me breshëri automatiku nga të paktën dy persona. Autorët kanë qenë në buzë të rrugës, duke ditur lëvizjet e Llanajt, i cili shkonte shpesh në Selenicë, (vendi i lindjes), ku kishte pronat e veta dhe ullishte. Sapo makina “Benz” me targa VL 6368 C e Llanajt është afruar, autorët kanë nisur të qëllojnë drejt saj me automatik. Për shkak të inercisë, makina ka lëvizur për 10 metra, duke përfunduar më pas në një kanal buzë rruge. Autorët i janë afruar duke vazhduar ta qëllojnë me armë zjarri, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme 60-vjeçarit. Nga breshëria e pakontrolluar e personave me qëllim eliminimin e Llanajt, ka mbetur i plagosur rëndë edhe shtetasi Sako Xhaferri, 45 vjeç nga Selenica, i cili më pas është shoqëruar në Spitalin e Vlorës, ku ndodhej në gjendje të rëndë. Nga kontrolli i policisë ushtruar ndaj Xhaferrit, atij i është gjetur një kokore si dhe një palë doreza. Po ashtu, sipas Policisë së Vlorës e cila ka bërë dhe këqyrjen e vendngjarjes, janë gjetur dhjetëra gëzhoja të automatiku me të cilin është vrarë 60-vjeçari. Nga të dhënat paraprake dyshohet se krimi mund të jetë kryer për shkak të hakmarrjes, pasi 6 vite më parë, Llanaj ka plagosur rëndë pas një sherri babanë dhe vëllanë e Xhaferrit. Si pasojë e dhunës, më vonë babai i autorit të djeshëm ka vdekur, ndërsa vëllai i tij ka humbur njërin sy. Nisur nga ky precedent policia dyshon se bëhet fjalë për një hakmarrje ndaj Baftjar Llanajt dhe se atentatori kryesor ka qenë Xhaferri. Nuk dihet personi i dytë në ngjarjen e djeshme, i cili ka mundur të largohet menjëherë, duke lënë në vend një persona të vdekur dhe një të plagosur, deri tani në rrethana pakujdesie. Xhaferri, pas ndihmës në Spitalin e Vlorës, është nisur mbrëmë vonë për në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra, pa mundur të merret në pyetje për çka ndodhi 2 km larg Selenicës. Policia ka ngritur disa postblloqe në zonë dhe po kryen kontrolle në disa fshatra dhe të afërm të autorëve të tjerë të mundshëm. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë nga armët e krimit, të cilat sipas policisë janë hequr nga autori i dytë i këtij krimi.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











