VLORE- Kamerat e sigurisë të vendosura nga subjektet tregtare zbulojnë grabitjen me armë të menaxherit të supermarketit “Euromax” në Vlorë. Policia bëri të ditur dje se arrestoi autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasin Shkëlqim Bërdallima, 38 vjeç, banues në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës. Prangosja e tij është bërë nga Policia e Vlorës me mbështetjen edhe të Forcave Speciale të Tiranës. “Kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi, nga hetimet e kryera dhe nga dokumentimi ligjor, ka rezultuar se është autor i ngjarjes së ndodhur më 6 shkurt 2012, ku menaxherit të supermarket “Euromax”, shtetasit me inicialet A.L., në lagjen “Pavarësia” në Vlorë nën kërcënimin e një arme zjarri i ka marrë 580 mijë lekë dhe është larguar menjëherë”, bëri të ditur Policia. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 kasetofonë për automjete, 4 celularë të markave të ndryshme dhe 1 motor 49 ç pa targa, të cilat dyshohet se janë të vjedhura nga 38-vjeçari. Mësohet se gjatë kontrollit nuk është arritur të gjenden paratë e grabitura. Por, Policia bëri të ditur se ka prova të mjaftueshme për dokumentimin e ngjarjes dhe adresimin e autorësisë të arrestuarit të djeshëm. Mësohet se kanë qenë kamerat e sigurisë të disa subjekteve që kanë filmuar ngjarjen dhe ndihmuan policinë të identifikojë autorin. Por edhe dëshmitë e dëshmitarëve, si dhe të të dëmtuarit. Menaxheri i supermarketit ishte nisur të depozitonte në bankë shumën e mësipërme të parave, por më pas ai është grabitur nën kërcënimin e armës. q.b











