Vlorë – Një i moshuar 60-vjeçar ka rënë në prangat e policisë dje, pasi është arrestuar me 28 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se gjatë aksionit “Mesnata” u arrit të sekuestrohet 28 kg lëndë narkotike, e cila ishte mbjellë në periferi të qytetit të Vlorës. Sipas burimeve të Policisë, që prej një muaji efektivat e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikeve Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë kanë kryer hetime intensive për ekzistencën e një sasie lënde narkotike duke punuar edhe për vënien në pranga të poseduesit të saj. Hetimi kishte nisur mbi bazën e të dhënave në rrugë operative, ndërkohë që si rezultat i veprimeve procedurale, ditën e djeshme është arrestuar shtetasi Jonuz Luto Memini, 60 vjeç, me banim në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Vlorës. Policia ka thënë se nga kontrolli që i është bërë në banesë, 60-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kg lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit kanabis sativa, e paketuar në 23 pako e mbështjellë me natriban. Po kështu, policia tha se nga kontrolli i ushtruar në ambientet afër banesës së 60-vjeçarit është gjetur një sasi tjetër lënde narkotike e mbjellë, e cila u asgjësua. Policia tha se nga hetimet e kryera ka rezultuar se lënda narkotike ishte përgatitur për t’u trafikuar në Greqi. Pas arrestimit të 60- vjeçarit dhe sekuestrimit të sasisë së lëndës narkotike, burimet e Policisë thanë se po vijojnë hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë dhe për të zbardhur veprimtarinë e plotë kriminale të këtij shtetasi. Ndërkohë, dosja penale ndaj 60-vjeçarit i ka kaluar Prokurorisë së Vlorës, e cila po bën gati kalimin për kompetencë te Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë nëse provohet se ka pasur veprime për trafikimin e lëndës në fjalë. q.b











