Vlorë, grabitet me maskë e armë arka te kolaudimi i makinave

Jul 23, 2011 | 10:18

VLORE- Grabitet me maska e armë arka e ndërmarrjes së KSHA-së, ku bëhet kolaudimi dhe regjistrimi i automjeteve. Policia e Vlorës bëri të ditur se dy personat, ende të paidentifikuar, kanë kërcënuar me armë zjarri punonjësit e kësaj ndërmarrjeje duke marrë më pas në arkën e saj 200 mijë lekë. “Ngjarja ndodhi në orët e paradites, kur autorët kanë shkuar te vendi ku kryhet kolaudimi i automjeteve. Njëri prej tyre ka nxjerrë një armë, pistoletë duke
kërcënuar punonjësit që t’u dorëzonin lekët që ishin në arkë”, bëri të ditur Policia. Mësohet se punonjësit e KSHA-së nuk janë bindur fillimisht, por personi që mbante armën ka qëlluar një herë në ajër duke kërcënuar se do të
shtinte në drejtim të tyre, nëse nuk i bindeshin. Të ndodhur në këto kushte, ata i kanë dorëzuar të gjithë shumën që kishin në atë moment në arkë, e cila kapte shifrën e 200 mijë lekëve. “Pasi morën paratë, na thanë të mos
lëviznim dhe të mos sinjalizonim policinë. Na drejtuan armën duke na kërcënuar se do të na vrisnin nëse bënim ndonjë veprim për t’i kundërshtuar”, janë shprehur punonjëset, të cilat ndodheshin në një zyrë të veçuar. Pasi kanë dalë nga ambienti ku ndodhej arka, dy grabitësit kanë hequr maskat për të mos rënë në sy të personave të tjerë që ndodheshin
për të mbaruar shërbimet me mjetet e tyre dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, kanë deklaruar punonjëset e arkës për policinë. Sipas dëshmisë së tyre, personat e maskuar dhe të armatosur ishin rreth moshës 20-22 vjeç, veshur me të zeza.                        q.b

© Panorama.al

Te lidhura