
Gjykata e Vlorës i jep të drejtë birrës “Norga” për të pezulluar urdhrin e sekuestrimit ndaj dy fabrikave dhe për të rinisur punën.Mesditën e djeshme është zhvilluar seanca gjyqësore, ku kompania “A&B Grup” fitoi hapin e parë ndaj Raiffeisen Bank për të nisur punën. Sipas burimeve nga Gjykata, seanca e djeshme ka marrë në shqyrtim kërkesën e kompanisë “A&B Grup”, e cila kundërshtonte sekuestrimin e fabrikave me vendim të pazbardhur të Gjykatës së Tiranës. Gjykata e Vlorës ka shqyrtuar çështjen dhe ka dalë në përfundimin se sekuestrimi i kompanisë “A&B Grup” nga Përmbarimi i një kompanie private ka qenë i jashtëligjshëm, sepse nuk ka pasur vendim të Gjykatës së Tiranës të zbardhur, si dhe nuk ka pasur vendim të Gjykatës së rrethit të Vlorës, ku ka dhe aktivitetin kjo kompani. Trupi gjykues, duke konstatuar disa shkelje ligjore në këtë sekuestrim, me vendim të prerë pezullon aktin e sekuestrimit, si dhe regjistron çështjen për gjykim të mëtejshëm. Gjithashtu, Gjykata ka vendosur rikthimin e pajisjeve kompjuterike nga fabrika të bllokuara arbitrarisht nga kompania përmbarimore private dhe më pas rifillimin e punës në dy fabrikat, atë të birrës “Norga” dhe të frutave në ditët në vijim, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës së rrethit të Vlorës për shqyrtimin e çështjes mbi konfliktin që kanë të dyja palët. Sipas pronares Bukurije Haxhiraj, vendimi i Gjykatës së Vlorës ka qenë i drejtë, sepse të gjitha veprimet e Përmbarimit dhe bankës kanë qenë të paligjshme dhe të pabazuara në ligj, duke u nisur me faktin që nuk ka pasur një vendim gjyqësor të zbardhur. Sipas saj, dëmi i shkaktuar nga ndërprerja e prodhimit është shumë i madh, sepse sistemi ka qenë i gjithi në prodhim dhe gjithçka u ndërpre në mes. “Si pasojë, i gjithë prodhimi dhe pjesërisht sistemi është dëmtuar dhe për këtë duhen disa ditë pune dhe investimesh të mëtejshme për të rifilluar puna, pas vendosjes së sistemit kompjuterik të hequr nga kompania përmbaruese. Gjithmonë, nëse ky sistem nuk është dëmtuar nga heqja dhe transporti nga Vlora në Tiranë dhe anasjellas”, pohoi ajo. Që prej ditës së sotme, punëtorët do të rifillojnë punën sipas sektorëve të tyre, ndërsa pronarët thonë se do të vazhdojë bashkëpunimi me bankën sipas ligjeve dhe interesave të përbashkëta, bazuar në kontratat dhe ligjet në fuqi, deri në përfundimin e gjyqit.
Sot, masa e sigurisë për punëtorët
Sot pritet që të vendoset dhe masa e sigurisë për tre punëtorët e fabrikës birra “Norga”, arrestuar të hënën, pas protestave të organizuara me qëllim rinisjen e punës. Ata u vunë në pranga nga policia e Vlorës me akuzën e kundërshtimit të forcave të policisë, pasi tentuan të hyjnë në brendësi të fabrikës. Arjan Agalliu, 50 vjeç, Lavdimir Haxhiaj, 37 vjeç dhe Besmir Koçiaj, 25 vjeç, do të mësojnë sot vlerësimin që do të japë gjykata për ta.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











