
VLORE – Një automjet luksoz “Ferrari” u bllokua dje nga policia e kufirit në Vlorë. Automjeti figuronte në pronësi të një shtetasi shqiptar me iniciale D. V., i cili e kishte blerë atë në shtetin Italian. Makina luksoze e vit-prodhimit 2001 iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga ana e policisë kufitare në pikën e kalimit të Portit të Vlorës. Nga verifikimi nëpërmjet sistemit TIMS rezultoi se automjeti figuronte i vjedhur në vitin 2009, në San Marino. Pronari i makinës kishte definuar madje për vjedhjen e mjetit të tij. Pas këtij kontrolli dhe verifikimi, policia e kufirit bllokoi automjetin e vjedhur, si dhe shoqëroi për verifikim drejtuesin e tij. Pas verifikimit rezultoi se dokumentacionet e tij ishin të rregullta, si ato personale, edhe të mjetit. Mësohet se ka qenë verifikimi i numrit të shasisë dhe elemente të tjera që vërtetuan se Ferrari i ardhur në Portin e Vlorës mëngjesin e djeshëm ishte i vjedhur. Mësohet se drejtuesi i mjetit ka deklaruar se e kishte blerë atë konform të gjitha rregullave dhe dokumentacioneve. Ai ka deklaruar se nuk kishte pasur dijeni se mjeti që kishte blerë ishte i vjedhur. q.b











