Vlorë, arrestohet njëri nga katër vrasësit e Julian Nelajt

Jul 13, 2011 | 11:32

VLORE – Vrau 29-vjeçarin me armë zjarri në mes të qytetit të Vlorës, vetëdorëzohet autori i krimit. Policia e Vlorës bëri të ditur se sektori i krimeve të rënda pranë kësaj drejtorie vuri në pranga shtetasin Arderim Trokaj, 30-vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë. Për kapjen dhe arrestimin e tij policia bëri të mundur ndërmjetësimin me të afërmit e 30-vjeçarit që ishte identifikuar më parë dhe ishte shpallur në kërkim. Ata e bindën familjarin e tyre të vetëdorëzohej dhe të përballej me drejtësinë për veprën penale të vrasjes. “30- vjeçari Trokaj ishte shpallur në kërkim nga policia që në datën 1 korrik 2011, mbasi dyshohej se ishte autori kryesor për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Julian Nelaj, 29 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë”, bëri të ditur policia. Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrugën e Re, në afërsi të hyrjes së qytetit të Vlorës, në një vend të populluar, pasi aty ndodhet edhe stacioni i furgonëve të linjës Vlorë-Tiranë. I arrestuari Ardemir Trokaj dhe vëllai i tij kanë qenë duke udhëtuar pranë stacionit të furgonëve të linjës së Tiranës, por sapo kanë parë shtetasin Julian Nelaj, ata kanë zbritur nga makina dhe kanë debatuar me të. Pas pak momentesh, Trokaj ka nxjerrë armën tip pistoletë, duke qëlluar në drejtim të 29-vjeçarit. Plumbi i vetëm e ka kapur viktimën në zemër duke e lënë atë të vdekur në vend. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me të vëllain dhe dy shokë të tjerë të tij. Sipas hetimeve, shkaku i vrasjes ka qenë një sherr banal mes viktimës dhe autorit pak ditë para ngjarjes së rëndë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se të dy njiheshin prej kohësh dhe madje ishin shokë me njëri-tjetrin. Pas arrestimit të 30-vjeçarit Trokaj, policia bëri të ditur se është në kërkim edhe vëllai i autorit si dhe dy shokëve të tij. Trokaj akuzohet për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake pa leje.    q.b

© Panorama.al

Te lidhura