
Pesë nxënës më rëndë. Ngjarja paralizoi qarkullimin për 1 orë në Radhimë.
Po festonin përfundimin e shkollës, me makinë buzë detit.
Festimet e një grupi maturantësh me rastin e përfundimit të shkollës, për pak përfundoi në një tragjedi dje në Vlorë. Dhjetë nxënës të shkollës së mesme “Qemal Ataturku” kanë zgjedhur të festojnë së bashku përfundimin e mësimeve, duke bërë xhiro nëpër bulevard e më pas buzë detit me një fuoristradë. Por, për shkak të shpejtësisë, makina është përplasur në Radhimë me bordurën anës rrugës e më pas është batuar. Për pasojë, 5 maturantë që ndodheshin në karrocerinë e mjetit mbetën të plagosur, ndërsa pesë të tjerë që ishin brenda kabinës fatmirësisht nuk pësuan dëmtime. Ashtu si dhe çdo vit tjetër, maturantët e Vlorës kryen dje ritualin e lëvizjes më automjete në rrugët e qytetit me bori të takuar, me flamuj dhe banderola në makina. Disa prej nxënësve, të cilëve tashmë u kanë mbetur vetëm provimet e Maturës Shtetërore kanë nxjerrë edhe gjysmën e trupit jashtë makinës duke rrezikuar jetën. “Si pasojë e shpejtësisë dhe thyerjes së rregullave të qarkullimit rrugor, rreth orës 13:00, mjeti tip “Fuoristradë”, me targë AA 258 është përplasur më hekurat anësorë të rrugës, dhe më pas është përmbysur. Pesë nxënës, tre djem dhe dy vajza, kanë mbetur të plagosur më rëndë. Ndërsa shokët e tyre që janë ndodhur në kabinën e mjetit nuk pësuan
lëndime”, bëri të ditur Policia. Dy prej të rinjve, pasi kanë marrë ndihmën e parë në spital janë larguar, ndërsa gjendja e tre të tjerëve është më e rëndë. Një prej tyre është dëmtuar në kokë, si dhe ka pësuar tronditje të fortë. Burime spitalore thanë se njëra prej vajzave ka dëmtime serioze në kokë, ndërsa tjetra ka gjithashtu dëmtime në kokë, si dhe ka thyer shpatullën. Aksidenti ka shkaktuar panik, por edhe bllokim të qarkullimit për më shumë se një orë. Nga Orikumi deri në Ujin e Ftohtë u shkaktua kaos dhe bllokim trafiku. Nuk kanë munguar as incidente të përplasjeve të drejtuesve të automjeteve me njëri-tjetrin, si dhe fërkime të makinave deri edhe thyerje të pasqyrave. Sipas Policisë, nxënësit e lënduar janë me inicialet A.P., A.Xh., A.A., I.A., N.Xh.
Një vit më parë u plagosën 4 maturantë
Edhe një vit më parë ka ndodhur e njëjta ngjarje, ku katër maturantë u plagosën gjatë xhiros në rrugët e qytetit me përfundimin e maturës. Si pasojë e shpejtësisë, mjeti doli jashtë rruge dhe u përplas me bordurën e betonit në zonën e Ujit të Ftohtë. Policia kishte marrë masa ditën e djeshme për të evituar ngjarje dhe aksidente, por sërish grupi i maturantëve u përplas në rrugë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











