Vlora e plazhi në terr në pikun e sezonit turistik

Jul 19, 2011 | 11:13

Rikthehet fenomeni i vjedhjes së kabllove elektrike, duke lënë pa energji në pikun e sezonit turistik pjesën më të madhe të qytetit të Vlorës, përfshirë edhe zonën e plazhit të vjetër.Banorët, por edhe mjaft pushues të tjerë të cilët janë të akomoduar kryesisht në banesa private, po vuajnë mungesën e energjisë. Ndërsa pjesa më e madhe e hoteleve në këtë zonë të bregut e kanë të lidhur linjën me portin. Janë tetë zona të qytetit bregdetar që dje u gdhinë pa drita, ndërsa ende nuk është konfirmuar se kur do të bëhet zëvendësimi i kabllove të vjedhur. “Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur gjatë natës së kaluar kabllot që furnizojnë me energji elektrike 8 zona në brendësi të lagjeve të qytetit, duke i lënë ato pa furnizim me drita”, bëri të ditur Policia, e cila ka nisur hetimet për arrestimin e autorëve të vjedhjes. Mësohet se në zonën pranë Postës qendrore janë kryer dy prerje kabllosh, në lagjen “Partizani” është kryer një tjetër prerje. Gjithashtu edhe në zonën e Llonxhës, të Karabashit, dy prerje të tjera tek ish- fabrika e çimentos, një tjetër prerje në lagjen “24 Maji” apo siç quhet ndryshe zona e Plazhit të Vjetër. “Në të 8-ta rastet janë vjedhur nga 20 deri në 50 metër kabllo me përbërje bakri”, tha Policia. Si pasoji e vjedhjes së kabllove elektrikë, që prej orës 03:00, në të gjitha zonat e lartpërmendura nuk ka energji, duke lënë qindra biznese pa punë. Edhe pushuesit ankohen për mungesën e energjisë. “Kemi disa orë pa energji dhe askush nuk na thotë se kur do të riparohet defekti që mund të kenë pësuar. Jemi akomoduar në një shtëpi private, pasi nuk kishim mundësi të paguanim hotelet buzë detit. Por, po na detyrojnë të braktisim plazhin e të shkojmë në shtëpitë tona. Nuk mund të qëndrojmë pa drita”, u shpreh një pushuese, e cila po interesohej te banorët e tjerë për të mësuar shkakun e mungesës së energjisë.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura