Vllaznia/ Lumë kritikash, por Josa u beson të njëjtëve

Jul 18, 2011 | 10:59

Tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa, duket i prerë në atë që i kërkon këto ditë lojtarëve të tij për të përballuar me sa më shumë sukses takimin me Turnin. Ai ka kërkuar që lojtarët këto pak ditë të lënë plazhet dhe të kenë mendjen vetëm te takimi me Thunin. Mesa duket, kjo që kërkon Josa, por edhe drejtuesit e tjerë të klubit, është krejt normale, pasi një regjim i fortë si brenda dhe jashtë stërvitjes mund të jetë çelësi i suksesit ndaj Thunit. Për tekniku formacioni që ka përdorur në tre ndeshjet e para duket se do të jetë edhe në takimin e katërt që do të luhet të enjten pasdite në Zvicër. Pavarësisht se ka pasur disa probleme në repartin e mesit të fushës, përsëri ajo që mësohet e shikohet gjatë këtyre ditëve të para të stërvitjeve, është se Josa po punon që lojtarët të riparojnë ato defekte që janë vënë re, por që nuk mësohet se mund të ketë lëvizje në formacion. Ndërkaq, pavarësisht gatishmërisë, Sinani do të jetë përsëri një rezervë dhe në fushë nga minuta e parë do të zbresë dyshja Sukaj-Vajushi. Deri tani, forma e lojtarëve është e mirë dhe nisur edhe nga kjo, tekniku po skicon këtë formacion për ta pasur të gatshëm për takimin e së enjtes.

Tifozet

Liberalizimi i vizave duket se do të ndikojë shumë edhe tek mbështetja që tifozët e çdo skuadre shqiptare mund t’i japin ekipit të tyre të zemrës. Këtë mbështetje duket se do ta provojë edhe Vllaznia në ndeshjen e së enjtes ndaj Thunit. Nga sa mësohet, nuk do të jenë të paktë fansat kuqeblu që po përgatiten përmes agjencive turistike, për të parë takimin që do të luhet në Zvicër. Nisur edhe nga interesimi i tifozëve, ajo që mendohet është se Vllazninë do ta ndjekin një numër i konsiderueshëm sportdashësish.

© Panorama.al

Te lidhura