Më keq se kaq nuk mund të shkonte. Pasi shijon për më shumë se një orë e 10 minuta shijen historike të turit të tretë të Kupave të Europës, shtangesh në harkun e vetëm 180 sekondave lojë.Milaim Rama dhe më pas Benzhamin Luthi shënojnë aq sa mjafton që shkodranët të kthehen në Shqipëri me kokën ulur dhe vendësit të përballen me Palermon në Turin e tretë të Ligës së Europës. Përpara tyre, detyrën, por edhe nderin e kuqebluve e pati bërë më së miri sulmuesi Xhevair Sukaj. Një gol i shpejtë që nga njëra anë qetësoi Vllazninë dhe nga ana tjetër nervozoi në maksimum vendasit. Por, as e para dhe as e dyta nuk u shfrytëzuan si duhet nga “armata” e Josës. Shkodranët hynin në stadiumin e ri të rikonstruktuar rishtazi të Thunit si skuadra që s’kishte asgjë për të humbur, pasi jo vetëm që në takimin e parë nuk kishte mundur të shënonte, por edhe në bazë të parashikimeve dhe basteve nuk ishte favorite për të kaluar turin. Madje fitorja e shkodranëve kuotohej mbi 6.5, koeficient ky mjaft i lartë, ndërsa Thuni shihej si ekipi superfavorit. Por, nuk ndodhi kështu në të paktën gjysmën e parë të fraksionit të parë të lojës, ku ishin më së shumti shkodranët ata që luajtën më qetë dhe madje edhe shënuan me anë të Sukajt në kundërsulm tipik kuqeblu. Nga ana tjetër, vendasit, të gjendur në disavantazh të një goli, u hodhën të gjithë në sulm aq sa trajneri bëri një zëvendësim që në pjesën e parë, duke hequr një mesfushor me tipare mbrojtëse dhe duke futur një tjetër sulmues. Gjithsesi, pjesa e parë e lojës nuk solli më gola, përveçse dueleve të pafundme të lojtarëve të Thunit me portierin malazez të Vllaznisë, Vujadinoviç. Fraksioni i dytë i lojës nisi njëlloj si i pari, me sulme të vazhdueshme të vendasve dhe me një mbrojtje të ngjeshur të tanëve. Ndërkohë që ndaj shkodranëve nuk mungojnë as kartonët e dhënë nga arbitri portugez, i cili në disa raste la shumë dyshime mbi arbitrimin e tij. Gjithsesi, trajneri i Thunit bën lëvizjet e tij duke lëshuar në fushën e lojës ata që më pas do t’i jepnin edhe fitoren e kualifikimin skuadrës së tij: Milaim Ramën dhe Benzhamin Luthin. Kaq mjaftoi që vendasit të merrnin krahë, edhe pse kronometri shënonte minutën e 91-të. Arbitri i katërt jep 4 minuta shtesë dhe në të dytën është Luthi që ngre peshë stadiumin dhe shtang përfundimisht shkodranët. Ka kohë edhe për dy kartonë të verdhë, nga të cilët ai ndaj Rajoviçit kthehet i kuq, para se arbitri portugez të vërshëllejë për fundin e krejt ndeshjes.
Thun-Vllaznia 2-1
Shënues: Rama 89′, Luthi 90+2’/ Sukaj 14′
Kartonë të verdhë: Lustrineli 87′, Djukiç 90+4′ (në pankinë)/ Rajoviç 34′, 90+4′, Popoviç 37′, Abraham 59′
Karton i kuq: Rajoviç 90+5′
Gjyqtarë: Zhoao Ferreira/ V.Tomé dhe F.Antonio (POR)
Thun: Da Kosta, Batig, Lustrineli, Shneuvli (Andrist 27′), Demiri, Shindelholz, Shneider, Lezkano, Matiç, Reinman (Luthi 61′), Vitver (Rama 71′). Trajner: Erik-Pi Zurker
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Rajoviç, Sykaj, Popoviç, Gocaj, Belisha, Nallbani, Abraham, Sukaj (Sinani 88′), Vajushi (Hasani 75′). Trajner: Mirel Josa
Vajushi
Vllaznia merr dy oferta konkrete për Armando Vajushin. Sipas informacioneve, janë dy skuadra të elitës së futbollit zviceran të cilat i kanë dhënë të drejtë babait të Lorik Canës, Agim Cana që të negociojë me drejtuesit shkodranë lidhur me kartonin e talentit të kuqebluve. Ish-futbollisti kosovar që ndër të tjera është edhe menaxheri i të birit, e ka sinjalizuar edhe lojtarin lidhur me interesimin e këtyre klubeve, por pa bërë publike emrat e këtyre të fundit.
Akuza e Fushajt: Nuk na duan në Ligën e Europës
Presidenti i Vllaznisë së Shkodrës, Valter Fushaj, ka hedhur akuza të rënda edhe në ndeshjet e Kupave të Europës. Ashtu si në kampionatin shqiptar, edhe në Ligën e Europës protagonistë negativë, sipas njëshit të klubit kuqeblu, janë bërë arbitrat. Në rastin konkret, Fushaj ka pasur pakënaqësi të mëdha ndaj mënyrës se si gjyqtari portugez, Zhoao Ferreira, arbitroi këtë takim. Ky i fundit dha katër kartonë të verdhë e një të kuq ndaj shkodranëve, si dhe dy të verdhë për vendësit, nga të cilët një për portierin rezervë në pankinë. “Është e kotë, ne nuk na duan në Europë. Nuk e di nëse patët shans ta shikonit takimin, por di t’ju them se gjykimi ka qenë skandaloz nga minuta e parë dhe deri tek e fundit. Faulle të vazhdueshme kundër nesh, ndërprerje të lojës sa herë që niste një sulm nga ana e skuadrës sonë dhe në fund, edhe kartonë pafund, duke na penalizuar. Më vjen keq që edhe në Kupat e Europës duhet të kemi të tilla probleme, pasi këtu pretendohet të gjykojnë arbitrat më të mirë në Europë. Gjithsesi, në fund jemi ne që ndëshkohemi”, ka thënë në një lidhje telefonike nga Zvicra pas ndeshjes Fushaj. Më tej, ai bëri edhe një rezyme të lojës së Vllaznisë, duke theksuar se skuadra që ai financon luajti një ndeshje të mirë dhe se nuk mund të kërkonte më shumë se kaq nga lojtarët.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











