Vlerësimi i nxënësve, notat do nisin nga zero te dhjeta

Jun 6, 2012 | 14:26
Një nga mbledhjet e Komisionit të Medias

Vlerësim për mbetësit jo vetëm me një notë, por me katër të tilla, që nisin nga zeroja. Ky ndryshim është i domosdoshëm për të identifikuar më mirë nivelin e nxënësve. E njëjta praktikë ndiqet edhe në vende të tjera të BE-së. Këtë propozim kanë bërë dje deputetët e maxhorancës dhe të opozitës në mbledhjen e radhës së Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Diskutimet për ligjin e arsimit parauniversitar kanë ezauruar pjesën më të madhe të neneve. Neni 49, i propozuar nga MASH, përcakton në pikën 2 vlerësimin e nxënësve. Sipas tij, pas klasës së katërt nxënësit vlerësohen me nota, numra të plotë nga 4 deri në 10, ku nota më e ulët është pesa. Gjatë diskutimit të djeshëm, deputetja e PS-së, Paulina Hoxha, propozoi zgjerim të kësaj skeme. “Mendoj që do të ishte më i përshtatshëm vlerësimi me notat nga 0-10. Nota kaluese të niste nga pesa, ashtu siç është aktualisht. Kjo do t’i shërbente sistemit arsimor”, tha Hoxha. Zv ministri Halit Shamata e kundërshtoi këtë propozim. “Nuk jemi dakord. Në këtë mënyrë vendosen 4 nota për një mbetës dhe do të krijohej konfuzion në të gjithë arsimin parauniversitar, duke i shkaktuar atij dëm”, tha Shamata. Propozimi i deputetes së PS-së gjeti mbështetje edhe nga ata të maxhorancës. “Ka ardhur koha që të pasurohet sistemi i vlerësimit. Nuk mund të mbetemi në atë çka kemi trashëguar nga e kaluara. Do të ishte e përshtatshme një skemë e re. Nuk e shoh të parealizueshëm nisjen nga zeroja të vlerësimit”, tha Marku. Edhe deputeti Ismail Hoxha theksoi se  aktualisht nuk bëhet diferenca mes një nxënësi të dobët dhe shumë të dobët, e cila do të mundësohej nëse do të ndryshonte skema. Neni 49 pritet të diskutohet sërish sot për të vendosur nëse ndryshimet do të reflektohen në ligj.

Neni 49
• Nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga 4 deri në 10, ku nota më e ulët kaluese është pesa. Nxënësit e arsimit të mesëm e të lartë vlerësohen edhe me kredite dhe me shprehje në vlerësimin përfundimtar.

• Nxënësi i klasave të para, të dyta dhe të treta nuk e përsërit klasën, me përjashtim të rasteve kur kërkohet nga prindërit e tij.

• Rregullat e kalimit ose të përsëritjes së klasës dhe të njehsimit të notës vjetore lëndore, të notës së tij mesatare për një vit shkollor, si dhe të krediteve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura