Vjeshta e nxehtë e politikës

Aug 28, 2012 | 12:06

HAMDI JUPE

Duket se zjarrmia e këtyre muajve të verës do të vazhdojë të na djegë e të na përcëllojë me të njëjtin intensitet edhe në vjeshtën e këtij viti. Kanë mbetur vetëm pak ditë nga stina e pushimeve. Vetëm se në vjeshtë ajo, zjarrmia, do të vijë jo më nga natyra, siç po na vjen tani, por nga politika.
Kryeministri Berisha deklaroi së fundmi se referendimi i paralajmëruar për heqjen e imunitetit do të zhvillohet dhe se për këtë do të vendoset në dy javët e ardhshme. Shkurt, marrëzia e radhës e politikës shqiptare do të ndodhë në fillim apo në mesin e vjeshtës.
Kryeministri ka tri halle të mëdha mbi kokë, që e shtyjnë në këtë ngasje antikushtetuese për të zhvilluar referendumin. Së pari, ai është para një prove të njohur në muajt e vjeshtës: asaj për të marrë ose jo Shqipëria statusin e vendit kandidat për në BE. Berisha, me sa duket, e ndien që larg se lajmet nga Brukseli nuk do të jenë të mira.
Përgjegjësia e madhe për këtë do të bjerë mbi qeverinë që ai drejton prej më shumë se shtatë vitesh. Prandaj i duhen alibi për të justifikuar dështimin e radhës. Dhe alibia është “pengesa” e opozitës për heqjen e imunitetit! Sa më e madhe të jetë zhurma e daulleve të referendumit, aq më i vogël do të jetë, sipas tij, efekti i dështimit të tretë në fushën e integrimit te shqiptarët.
A ka mjete konstitucionale për ta ndalur referendumin antikushtetuesë Ka, dhe kjo është Gjykata Kushtetuese. Ajo është shprehur një herë me një “shqipe” të kulluar për këtë çështje. Por nuk është hera e parë që Kryeministri i merr zvarrë institucionet e shtetit. Edhe në vitin e largët 1994, kur ishte president i Republikës, kështu e nëpërkëmbi Kushtetutën, kur shpalli referendum për të. Atëherë Gjykata Kushtetuese ishte nën këmbët e tij dhe prandaj i dha të drejtë Berishës. Natyrisht, pasi kish mbaruar referendumi dhe pasi sovrani kishte folur me shumicë kundër tij.
Tani Kryeministri pritet të bëjë edhe një herë provën e fundit: A e ka të nënshtruar plotësisht ai “gardianin” e Kushtetutës, pra Gjykatën Kushtetuese, apo ajo do t’i rebelohet, duke ia ndalur turravrapin në çastin e fundit, në prag të theqafjes nga pushtetië Kjo duhet provuar para zgjedhjeve të reja dhe provat bëhen “me ngarkesë” të plotë, d.m.th me veprime praktike, jo me teori.
Hall tjetër i madh i Kryeministrit Berisha në këtë fillim vjeshte që po troket, është se ekonomia e vendit po shkon poshtë e më poshtë, drejt greminës. Dhe kështu do të vazhdojë të shkojë ajo nga dita në ditë. Nuk priten ditë të mira për të. Treguesit ekonomikë janë gjithnjë në rënie. Këtë e pranojnë tashmë edhe vetë institucionet e drejtuara nga qeveria. Në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, vendi ndodhet i zhytur në një krizë të thellë ekonomike dhe krizë borxhesh të pafundme. Vite më parë, Berisha përpiqej ta fshihte këtë krizë, duke deklaruar “suksese pas suksesesh” në arritjet e treguesve ekonomikë. Tani këto “suksese” nuk janë më as në fjalimet e tij, tani shifrat janë gjithnjë e më të zeza.
Dikur Berisha i bënte krahasimet e shifrave të arritjeve të një viti të qeverisjes së tij me ato të vitit të mëparshëm. Tani i bën krahasimet në raport me vitin 2005! Jo vetëm ai, por e gjithë administrata që ai drejton. Taman si në kohën e Enverit. Atëherë krahasimet e “sukseseve” bëheshin në raport me vitin 1938. është e njëjta situatë dhe e njëjta logjikë e fshehjes se dështimeve.
Kohët e fundit bankat private refuzuan t’ia blejnë bonot e thesarit qeverisë, duke dëshmuar kështu shkallë të lartë mosbesimi ndaj saj. Atëherë qeveria iu drejtua publikut, i cili u tregua “bujar” për t’i blerë bonot. Në vend që t’i lënë paratë në banka me interes tre presje pesë për qind, ata, qytetarët, po blejnë bono të qeverisë me interes pesë presje tre për qind. Dhe kështu qeveria “ia hodhi” edhe kësaj radhe.
Por ky “sukses” i qeverisë nuk është gjë tjetër, veçse shprehje e thellë e krizës ekonomike dhe e krizës së besimit. Njerëzit që kanë vënë pesë lekë mënjanë, nuk guxojnë apo nuk kanë mundësi praktike t’i fusin ato në punë për të zhvilluar vendin dhe biznesin e tyre. Prandaj blejnë me to bono thesari. “Më mirë të kënaqemi me pak kacidhe, sesa t’i humbasim fare!”. Kjo është psikologjia e tyre, një psikologji tipike e krizës ekonomike dhe morale të shoqërisë. A nuk ka bërë thirrje të herëpashershme guvernatori i Bankës së Shqipërisë për të rritur konsumin shqiptarëtë Por ata nuk e dëgjojnë që nuk e dëgjojnë guvernatorin për të rritur konsumin. Ata i kanë kyçur qindarkat e tyre në shtatë palë kyçe.
Qeveria nuk ka më se çfarë të shesë nga pasuria kombëtare, për të mbushur arkën e shtetit. Çfarë ishte për t’u shitur, u shit. Ato që kanë mbetur, duan kohë fizike të maturohen, derisa të shiten. Mirëpo koha është një lëmsh që po mblidhet me shpejtësi kundër qeverisë. Prandaj, e ardhmja financiare e saj duket gjithnjë e më e rëndë.
Në këto rrethana, ajo nuk ka çfarë t’i ofrojë më popullit të vet, veçse spektakle politike me referendume, mundësisht sa më të tensionuara, sepse kështu e spostojnë tamam vëmendjen e shqiptarëve nga uria e ditës. Me çfarë do të mbushet koha deri në zgjedhjet e reja të qershorit të ardhshëm, po nuk u mbush me zhurmën e daulleve të referendumitë
Nuk ka më fushata inaugurimesh për rrugë e ura. Nuk ka më spektakle me suksese para kamerave të televizioneve të paguara nga qeveria. Inaugurimet kanë mbaruar, sepse nuk ka më para për to. Rrugët kanë mbetur copë-copë pa përfunduar anekënd vendit, për mungesë fondesh. Mekanizmi i inaugurimeve bluan vetëm për ndonjë rrugë tretësore fshati.
Mjafton të shikosh unazën e madhe të kryeqytetit, të propaganduar me aq zhurmë e bujë dhe do të vëresh se rruga e paasfaltuar po pudros me baltë ditë e natë në këtë fund vere gati një të tretën e Tiranës, që nga hyrja e kryeqytetit në Sauk, deri te qendra “Kristal”, ku jetojnë më shumë se 100 mijë banorë. Nuk ka para për ta asfaltuar dhe nuk dihet sa kohë do të vazhdojë e tillë kjo rrugë. Por sa rrugë të tjera kanë mbetur në këtë gjendje anekënd venditë Kështu, Berishës i duhet një aksion i tipit referendar që të heqë vëmendjen nga këto rrugë të sakatuara dhe nga ky pluhur mbytës. Dhe ky aksion, me sa duket, tani për tani është vetëm referendumi për asgjënë.
Berisha ka edhe një arsye tjetër të madhe të jetë i shqetësuar në prag të zgjedhjeve të reja. Ai e shikon veten me shumë armiq politikë. Shumë parti të reja e tradicionale kanë dalë hapur e po e kryqëzojnë qeverinë e tij në prag të zgjedhjeve. Shumë akuza po i bëjnë asaj për dëme të mëdha që i ka sjellë vendit gjatë qeverisjes së tij. Berisha e ndien veten të izoluar dhe të sulmuar nga të gjitha anët. Edhe kur opozita ka një farë kakofonie në qëndrime, për arsye të dobësive foshnjore të saj, objektivi i saj është i qartë: ai është vetëm Berisha.
Berishës i duhet ky referendum gjasme për imunitetin, për të teguar se ai nuk është i vetëm, se ai ka aleatë, se aleati i tij është populli dhe ky popull do ta mbështesë atë në referendum. I duhet kjo mbështetje imagjinare në prag të zgjedhjeve të reja, prandaj duhet bërë me çdo kusht referendumi. “Kamerdarja” e referendumit, mendon ai, do ta çojë në brigjet e zgjedhjeve të reja me moral të ngritur. “E shikoni, populli votoi për mua. Dhe prandaj kështu do të votojë ai edhe në zgjedhjet e reja parlamentare që do të zhvillohen pranverën e ardhshme”. Pra, referendumi për imunitetin do të shërbejë si një frymëmarrje dosido për grigjën e dobësuar të tij.
Opozita deri tani ia ka dhënë këtë mundësi të artë për të bërë manovrime para zgjedhjeve. Ajo ka një handikap në këtë rast: nuk është kundër heqjes së imunitetit, por as nuk bashkohet me Berishën në referendum. Kjo është një lojë politike kukafshehti, kush t’ia hedhë tjetrit. Dhe faktikisht është një lojë me rreziqe.
Për ta shfryrë këtë tullumbace të imunitetit, ndoshta do të ishte më e udhës që në momenin e fundit opozita ta jepte votën në Parlament për ndryshimet e përfolura kushtetuese. Thjesht për t’ia hequr nga duart një armë të ndryshkur prej njëzet vjetësh, që ai kërkon ta përdorë për të mbijetuar deri në zgjedhje. Pse jo, edhe pas tyre! Për ta ulur atë me bythë në tokë, në baltën dhe pluhurin e realitetit. Përndryshe ajo, opozita, do t’i ngjante një gjiganti pa tru, në një moment kaq deciziv për të.
Opozita e ka në dorë një shans, duke pranuar që t’i votojë ato tri gjysmë amendime kushtetuese që ai i kërkon me ngulm. Pastaj do të ishim kuriozë të shihnim se si do të sillej politika deri në zgjedhjet e reja. Të paktën tani për tani, opozita duket në një shterpësi totale idesh për ta përballuar me sukses këtë teatër absurd që po i propozohet vendit nga qeveria. Prandaj deri tani, e vetmja gjë që dimë me siguri, është se vjeshta e politikës do të jetë e nxehtë.

© Panorama.al

Te lidhura