Vjen në shqip historia e gjeneralit De Gol

Jun 8, 2012 | 13:19
Kopertina e librit

“Franceze dhe francezë! Gjenerali De Gol vdiq. Franca ka mbetur e ve…”. Me këto fjalë, ish-presidenti francez, Zhorzh Pompidu, njoftoi vdekjen e një prej figurave më të rëndësishme të historisë botërore të shekullit XX, Charles De Gol. Prej pak ditësh ka dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Botart” biografia e francezit të shquar: “Gjeneral De Gol, historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne”. E shkruar nga Éric Roussel dhe shqipëruar nga Eqerem Gaxholli, kjo biografi na njeh jo vetëm me jetën e De Golit, por nëpërmjet tij zbulon edhe momente të rëndësishme historike, vendime e marrëveshje në Europën e gjysmës së parë të shekullit XX. “De Goli është pa dyshim figura më e shquar e historisë franceze të shekullit XX. Emri dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me momente të tilla, sikurse ishin gjendja kritike në prag të Luftës së Dytë Botërore, organizimi dhe udhëheqja e Rezistencës Franceze kundër pushtuesit fashist dhe kolaboracionistëve, veprimtaria e qeverisë së koalicionit në kushtet e përfundimit të Luftës dhe fill pas saj mënjanimi i krizës së Republikës IV, reformimi i strukturave dhe krijimi i shtetit modern francez, që njihet ndryshe Republika V. Në ato momente, koha kërkonte guxim, vendosmëri dhe optimizëm për të ardhmen. Koha kërkonte një figurë të shquar, një personalitet poliedrik, i cili, sipas nevojave të vepronte si gjeneral me njohuri të thella ushtarake, si burrë shteti dhe si diplomat, që të dinte jo vetëm të organizonte dhe të drejtonte administratën shtetërore, por edhe si ideolog reformator që të njihte nevojën e ndryshimeve, që të kuptonte proceset moderne të zhvillimit historik europian dhe botëror”, shkruan prof. Adem Mezini në hyrje të librit.

Libri
Titulli Gjeneral De Gol, historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne
Autori Éric Roussel
Shqipëroi Eqerem Gaxholli
Shtëpia botuese Botart
Numri i faqeve 314
Çmimi 1000 lekë

© Panorama.al

Te lidhura