TIRANE – Policia e kryeqytetit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vjedhjes së kryer në Universitetin e Sporteve rreth një muaj më parë. Ai është një ish-punonjës i sigurisë së Universitetit dhe sipas të dhënave, vjedhja në zyrën e rektorit Vesel Rizvanolli është kryer me qëllim për të shkaktuar një incident në fushatën e zgjedhjeve për rektor. Burime nga Policia thanë se për shkak të sekretit hetimor nuk mund të jepen detaje rreth mekanizmit të ngjarjes, apo ideatorin e incidentit, po tashmë ka nisur procedim penal për personin që ka vjedhur 2 kompjuterë në zyrën e Rizvanollit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se i dyshuari kryesor për ngjarjen është 52-vjeçari B. Sadiku, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tij. Nga deklarimet që u janë marrë punonjësve të brendshëm dhe të sigurisë së Universitetit të Sporteve, rezulton që personi i shpallur në kërkim, dy vite më parë ka punuar si roje i këtij institucioni. Gjatë kohës që punonte aty ka pasur disa konflikte me pjesëtarët e stafit, konflikte që u bënë edhe më të ashpra pas largimit të tij nga puna. Ndërsa sipas Policisë, motivi i ngjarjes, më shumë sesa një vjedhje për përfitim material, është ideuar për të shkaktuar një incident në universitet, pasi u krye në kohën e fushatës zgjedhore për rektor. Ngjarja ndodhi më 31 janar 2012, në zyrën e rektorit të Universitetit të Sporteve, Vesel Rizvanolli. Autori i dyshuar i ngjarjes, 52-vjeçari Sadiku, ka arritur të vjedhë dy kompjuterë bashkë me njësitë qendrore të tyre. Vjedhja është kryer pa thyerje dhe autori, sipas Policisë, kanë arritur të futet në ambientet e brendshme të Rektoratit e më pas në zyrën e rektorit Rizvanolli duke përdorur çelës për hapjen e derës. Ngjarja është konstatuar në mëngjes, kur rektori është paraqitur në zyrë dhe ka parë që mungonin dy kompjuterë. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr.2, të cilët kanë bërë këqyrjen dhe fiksimin e gjurmëve të gishtave.
Rektori Rizvanolli
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, një ditë pas vjedhjes në zyrën e tij, rektori Vesel Rizvanolli u shpreh se ngjarja është e qëllimshme dhe vjen në prag të fushatës së zgjedhjes së rektorëve dhe dekanëve në Universitetin e Tiranës. “Nuk ka dyshim që ngjarja është e qëllimshme. Nuk mund ta vë gishtin tek asnjë person konkret, por pa dyshim se dikush i brendshëm që ka përdorur çelësin ka vjedhur kompjuterët në zyrën time. Qëllimi ka qenë për të zbuluar ndonjë material komprometues që mund ta përdorin kundër meje, pasi unë rikandidoj për postin e rektorit në Universitetin e Sporteve, fakt që nuk është mirëpritur.











