Vjedhja në urban, padi për dhunë 3 policëve të Kamzës

May 7, 2012 | 14:42

Aleksandër Bengasi

Kamzë, ndalimi i qytetarit pas denoncimit për vjedhje në një autobus.

Tiranë, Aleksandër Bengasi padit dhunën në Komisariatin Nr.5.

Një qytetar, i cili ka ndërhyrë për të shmangur një vjedhje në urban, ka përfunduar në polici fillimisht si i dyshuar, më pas është arrestuar me akuzën për ushtrim dhune ndaj punonjësve të rendit.
Aleksandër Bengasi, 38 vjeç, u lirua dje nga Gjykata e Tiranës me masën e sigurisë “liri me kusht”, pasi ishte arrestuar pasditen e së enjtes nga efektivat e Komisariatit Nr.5. E menjëherë sapo ka rifituar lirinë, Bengasi, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe i vëllai, nuk ka vonuar që t’i drejtohet fillimisht Institutit të Mjekësisë Ligjore, më pas ka denoncuar dhunën dhe torturat që ishin kryer ndaj tij nga 3 efektiva policie mbrëmjen e së enjtes pas arrestimit. Madje, në kallëzimin e tij, 38-vjeçari ka shpjeguar se efektivat e Komisariatit të Kamzës kanë goditur edhe bashkëshorten e tij, me të cilën ishte i shoqëruar në momentin e ndalimit. Bengasi nuk e mohon faktin që edhe ai i ka goditur dhe i ka sharë efektivat e Policisë, por sqaron se gjithçka e ka kryer për t’u mbrojtur, por edhe sepse ishte i pirë. Në denoncimin e tij, Aleksandër Bengasi pretendon se kanë qenë tre punonjës policie që e kanë shoqëruar me forcë në Komisariatin Nr.5, Shpëtim Peca, Haki Ciku dhe Shkëlqim Merdini. Pretendohet se në ambientet e Komisariatit të Policisë kanë qenë disa punonjës të tjerë që e kanë rrahur e torturuar. Bengasi është shprehur se nuk ka arritur ende t’u mësojë emrat, por nëse përballet me ta, i njeh mjaft mirë.
DENONCIMI
Aleksandër Bengasi, 38 vjeç, nga Gramshi dhe banues në Kamzë të Tiranës, denoncoi dje në zyrat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhunën dhe torturat që kanë ushtruar ndaj tij tre punonjës të Policisë së Komisariatit Nr.5 të Tiranës. Në kallëzimin e tij, Bengasi ka shpjeguar se ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, më 3 maj, në afërsi të Institutit Bujqësor. Ai ka qenë në urbanin e Kamzës, duke u kthyer nga qendra e Tiranës, drejt shtëpisë së tij në Kamzë, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja, kur ka parë dy persona që po tentonin të vidhnin udhëtarët në urban. Sipas tij, hajdutët kishin hipur në stacionin e Institutit Bujqësor e në stacionin tjetër po tentonin të vidhnin, dhe ai është përpjekur t’i ndalonte, duke i goditur. Pas disa minutash nga ngjarja, kur urbani kishte ndaluar për shkak të incidentit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë së Komisariatit Nr.5. Bengasi tregon si ishte pak i pirë, por mban mend që i ka sharë policët, të cilët më pas e kanë goditur atë dhe të shoqen, si dhe e kanë marrë me forcë, duke e hipur në makinë. Por, sipas tij, dhuna dhe ofendimet e policëve ndaj tij nuk kanë përfunduar vetëm me goditjet brenda në makinë pas vënies së prangave, por edhe në ambientet e Komisariatit, ku e kanë rrahur disa punonjës të tjerë policie. Ai shpjegon se ka shenja të dukshme dhunë në fytyrë dhe në trup, shenja që i kanë ngelur nga goditjet e policëve. Për këtë arsye, ai ka bërë edhe një ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, që denoncimit të tij t’i bashkëngjitet edhe raporti mjeko-ligjor, pasi është i vetëdijshëm që nevojitet në të tilla raste.
Dhuna në polici
Pak ditë më parë u bë publik një raport i posaçëm i Avokatit të Popullit në lidhje me plotësimin nga Shqipëria të kërkesave të Bashkimit Europian. Një nga këto kërkesa ishte edhe shmangia e rasteve të dhunës së policisë ndaj qytetarëve. Avokati i Popullit raportonte se gjatë viteve 2010-2011 ka pasur raste të evidentuara dhune nga policia ndaj qytetarëve. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, kuadri komandues i policisë kishte zbatuar më se 60-70 për qind të rekomandimeve për marrje masash ndaj punonjësve që kishin ushtruar dhunë. Megjithatë, dhomat e izolimit sipas raportit kanë probleme, sepse nuk kanë mbikëqyrje vizive për të dokumentuar rastet e dhunës.

ANKESA
Veç denoncimit te Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Aleksandër Bengasi do të depozitojë edhe një ankesë në zyrën e Avokatit të Popullit, ku do të tregojë dhunën që është ushtruar ndaj tij dhe raportin e mjekëve ligjorë. Avokati i Popullit dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, ditët e fundit kanë zhvilluar një sërë takimesh, duke nënshkruar edhe marrëveshje të përbashkëta bashkëpunimi për parandalimin e dhunës në dhomat e paraburgimit, në zbatim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Bengasi u arrestua për dhunë ndaj policisë
TIRANE – Në një njoftim zyrtar, Policia e kryeqytetit u shpreh edhe për arrestimin e një 38-vjeçari, i cili kishte fyer, kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë për shkak të detyrës. “Nga Komisariati i Policisë Nr.5 Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleksandër Ferit Bengasi, i vitlindjes 1974, banues në Kamzë, pasi dyshohet se dje (të enjten ), rreth orës 17:00, ka fyer, kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës patrullën e Policisë me punonjës, të cilët ishin me shërbim në Universitetin Bujqësor, Kamzë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. Ndërsa burimet sqaruan se incidenti kishte ndodhur në një prej urbanëve të linjës Tiranë-Kamzë, ku Bengasi ndodhej bashkë me të shoqen dhe ishte rrahur me dy persona, të cilët po tentonin të vidhnin qytetarët. Për këtë arsye kishte shkuar në vendin e ngjarjes edhe patrulla e policisë. Por, sipas burimeve nga Policia, Aleksandër Bengasi, gjatë shoqërimit për t’u marrë në pyetje, ka fyer, kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë, Shpëtim Peca, Haki Ciku dhe Shkëlqim Merdini, të cilët ishin me shërbim.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura