Vjedhja e zgjedhjeve, deri në 7 vjet burg komisionerëve

Feb 17, 2012 | 12:15

Komisioni për Reformën Zgjedhore

Amendamentet e Komisionit të Reformës Zgjedhore në Kodin Penal.

Tre vite burg kush çon nxënësit e shkollave në mitingje.

Komisionerët e të gjitha niveleve do ta mendojnë dy herë nëse do të marrin vulën e votimit, apo do të ndryshojnë rezultatet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo për shkak se dënimi për ta do të jetë shumë më i rëndë se deri tani. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë përgatitur disa amendamente në Kodin Penal, që pritet të miratohen në mbledhjen e sotme të Komisionit të Reformës Zgjedhore, të cilat forcojnë sanksionet për ata që do të prishin zgjedhjet. Konkretisht, nëse deri tani falsifikimi i materialeve zgjedhore, futja e votave në kuti me qëllim ndryshimin e rezultatit dënohej me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet, vitin e ardhshëm do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Por, më i rëndë do të jetë dënimi për administruesit e procesit zgjedhor, të cilët janë komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta. “Po kjo vepër, kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet në nenin 326 të ndryshuar të Kodit Penal. Në të njëjtën kohë shtohet edhe neni 326/a, sipas të cilit, dëmtimi i materialeve zgjedhore dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe kur këto vepra i kryejnë anëtarët e komisioneve të votimit dhe si pasojë zgjedhjet shpallen të pavlefshme dënimi, është nga tre deri në tetë vjet dhe gjoba nga njëqind mijë deri në shtatëqind mijë lekë. Në Kodin Penal do të shtohet gjithashtu një dispozitë sipas së cilës detyrimi i administratës për t’u përfshirë në fushatë elektorale do të dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. “Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të një subjekti zgjedhor, i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit”, thuhet në amendimet e Kodit Penal. Sanksione të forta janë parashikuar edhe për braktisjen e detyrës nga komisionerët. “Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose anëtarët e grupeve të numërimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga 6 muaj deri në dy vjet. Kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me vete në kundërshtim me ligjin a duke zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin e votimit apo kanë çuar në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet”, thuhet në nenin 330/a që shtohet.

Fshehtësia
Në ndryshimet që do të pësojë Kodi Penal përfshihet edhe shkelja e fshehtësisë së votës, e cila tani është dënuar me gjobë ose me burgim gjer në një vit. “Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet”, thuhet në ndryshimet e reja.

Identifikimi
Me ndryshimet e reja, votimi më shumë se një herë ose votimi në emër të personave të tjerë do të dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. “Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në propozimet e ekspertëve të dy partive të mëdha, që do të marrin edhe miratimin e Parlamentit.

Shpërblimet
PD dhe PS do të miratojnë ndryshimin e një dispozite, sipas së cilës ofrimi i të hollave nga një kandidat do të dënohet nga gjashtë muaj deri në dy vjet, ndërsa pranimi i të hollave do të dënohet me gjobë. Gjithashtu është parashikuar që kanosja e një shtetasi për të votuar për një kandidat dënohet nga tre muaj gjer në dy vjet.

Ndryshimet në Kodin Penal
Neni 326

Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve
Paraqitja në dokumentet e zgjedhjeve të të dhënave, rrethanave, shifrave që dihen se janë të pasakta, përpilimi i dokumenteve false ose zëvendësimi i të saktave me të rreme, i bërë nga personat e ngarkuar me përpilimin, vlerësimin, nxjerrjen e rezultateve apo ruajtjen e dokumenteve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 326 bëhet
Falsifikimi i materialit dhe rezultateve të zgjedhjeve
Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme, futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme, dënohet me burgim nga një  deri në pesë vjet.
Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Neni 326/a shtohet
Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor
Dëmtimi, prishja, shkatërrimi me dashje apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë, pajisjeve apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Po këto vepra, kur kryhen nga personat përgjegjës për administrimin zgjedhor ose në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, apo kur kanë sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ka sjellë pavlefshmërinë e tyre apo ka cenuar rezultatin e votimit, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në shtatë qind mijë lekë.
Neni 327/a shtohet
Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar
Votimi më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje, votimi për persona të tjerë duke paraqitur dokumente identifikimi të rreme apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Lejimi me dashje nga komisionerët zgjedhorë i votimit pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit,  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit.
Neni 328 ishte
Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve
Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Pranimi i të hollave, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
Neni 328 bëhet
Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve
Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një subjekti zgjedhor ose kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
Neni 328/a shtohet
Detyrimi për pjesëmarrje në aktivitete politike
Detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në aktivitete zgjedhore të një subjekti zgjedhor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit.
Neni 330/a shtohet
Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve
Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose anëtarët e grupeve të numërimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me  burgim nga 6 muaj deri në dy vjet. Kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me vete në kundërshtim me ligjin a duke zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin e votimit apo kanë çuar në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 331
Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 331
Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, kur ka sjellë pasoja të rënda për interesat e zgjedhësve apo mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, dënohet më burgim nga dy gjer në pesë vjet dhe më gjobë nga treqind mijë deri në shtatëqind mijë lekë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura