Vjedhja e skrapit, pranga drejtorit të Azotikut në Fier

Jun 6, 2012 | 14:53
Fabrika e Azotikut në Fier

Furtunë në Azotikun e Fierit. Drejtori dhe 3 punonjës të uzinës u vunë në pranga nga policia për vjedhjen masive të skrapit. Pikërisht “skrapi” ka qenë kodimi i operacionit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut në Fier, që ka sjellë arrestimin e drejtorit të Uzinës së Plehrave Azotike të këtij qyteti, teksa akuzohet se së bashku me katër vartës të tij ka qenë duke vjedhur një sasi mbetjesh metalike me vlerë 11 milionë lekë të rinj.
Ka qenë një hetim disa mujor i Task-Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Zyrës së Luftës ndaj Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë, që ka mundësuar zbardhjen e mënyrës së vjedhjes së skrapit nga vetë zyrtarët shtetërorë. Me anë të teknikave speciale të hetimit, atë të përgjimit dhe survejimit të të dyshuarve, Policia ka arritur të sigurojë prova konkrete për vjedhjen masive që i është kryer ish-gjigantit të Azotikut nga vetë drejtuesit e saj. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, për këtë vjedhje janë vënë në pranga Ferdinand Doksani 47 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, me detyrë drejtor i Uzinës së Plehrave Azotike Fier, juristi i kësaj uzine, Julian Hoxha 26 vjeç, magazinieri Sotiraq Llazi 57 vjeç dhe përgjegjësi i rojeve Ali Liçaj 62 vjeç, që të tre banorë të qytetit të Fierit. Gjithashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases Adelina Daka, 47 vjeçe, banore e qytetit të Fierit, me detyrë ekonomiste financiere në Uzinën e Plehrave Azotike Fier. Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se arrestimi i këtyre zyrtarëve të Uzinës së Azotikut është bërë për veprën penale të “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë detyra publike”, parashikuar nga nenet 135, 25, 22 dhe 244 të Kodit Penal. Nga burimet e Policisë mësohet se pesë zyrtarët e sipërpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin një sasi skrapi në një magazinë të kësaj ndërmarrjeje ku ndodhen të magazinuara materiale me vlerë 11 milionë lekë. Policia thotë se në momentin e arrestimit personat kanë qenë në ambientet e brendshme të Azotikut dhe bëheshin gati të ngarkonin skrapin në një mjet të tonazhit të rëndë.

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura