Vizita e Nesti Kerenxhit në Athinë, i dërguari i Enver Hoxhës në Greqi dhe fillimi i dyshimit ndaj çamëve

Apr 2, 2026 | 7:46

enver hoxhaHYQMET ZANE

Është e dhimbshme dhe tragjike që problemi çam dhe Çamëria janë të braktisura në kohë dhe në hapësirë dhe që nuk ka shtet shqiptar dhe as askënd për t’ia treguar këto dhimbje që tejkalojnë çdo dhimbje njerëzore. Janë të nisura që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në mars 1913, parathënia që diktoi masakra në Prrroi e Selanit në Paramithi e më pas tendencat për shpërnguljen me traktatin e shkëmbimit të popullatave mes Greqisë e Turqisë dhe pasojat e njëpasnjëshme me sanksionet greke ndaj popullatës, pa shkolla e pa flamur, pa të drejta dhe më pas deri tek shpërngulja me masakra tip gjenocid pas 27 qershorit 1944. Por, sikur të mos mjaftonin këto, u desh edhe internimi i kësaj popullsie që nga 1940 në ishujt Hiop e Medilin nga grekët dhe ajo në Kënetën e Maliqit më 1949 pse çamët nuk pranuan të luftonin me flamur grek në mbështetje të partisë komuniste greke EAM. Më pas heqja e shtetësisë kur në Greqi u bën amnistia e Luftës II Botërore më 1952-1953 dhe te goditja në Konferencën e Tiranës më 1956 dhe më e keqja goditja me arrestime, burgosje e pushkatime e të ashtuquajturit “grupi Teme Sejkos dhe Tahir Demit” më 1960–1961. Kjo diktoi edhe depersonalizimin shoqëruar me urrejtjen politike të regjimit.

KËNDVËSHTRIMET E TJERA

Jeta e njerëzve që kanë pësuar vuajtje nga regjimet e ndryshme është e mbushur me shumë detaje që ende nuk janë bërë publike. Pjesëtarë të shqiptarëve të Çamërisë dhe trashëgimtarët e tyre që ndodhen në Shqipëri aktualisht kanë shumë për të thënë që, njëherazi, vuajtën dënimet monstruoze të diktaturave të egra dhe regjimeve që bënë gjenocid mbi popujt e pafajshëm. Për hir të së vërtetës, kur fjala vjen tek shqiptarët e Çamërisë, mendja të shkon te gjenocidi grek që nisi më 27 mars të vitit 1913 me masakrën e Përroit të Selanit, ku u vranë 72 krerët e Çamërisë në Paramithi dhe që vazhdoi më pas me internimet në vitin 1940 nga shteti grek në ishujt Hio e Medilinë të burrave mbi 18 vjeç nga Çamëria me pretekstin se çamët u bënë palë me pushtimin italian, në një kohë që drejtuesit e lartë të Athinës u bënë palë me Italinë pushtuese. Ajo që njihet më e gjetur nga pala greke ishte për të bërë “zgjidhjen përfundimtare” (siç e ka cilësuar atë prof. dr. Sami Rrepishti) të këtij shteti shovinist me dëbimin e gjithë popullatës çame myslimane nga trojet e veta stërgjyshore dhe autoktone. E gjitha kjo “zgjidhje përfundimtare” u bë në format më çnjerëzore, tipike fashiste dhe me cilësimet e një gjenocidi, ku ushtria greke e orientuar nga filozofia shfarosëse nga bandat e andartëve të Napoleon Zerva, u sulën mizorisht mbi popullsinë e pafajshme dhe të pambrojtur, të paarmatosur dhe të paparalajmëruar duke vrarë mbi 3 mijë burra, gra, pleq e plaka, fëmijë dhe të rinj.

Nëse kjo vuajtje nga ky gjenocid ishte i paparë dhe mizor, për këta shqiptarë të çamërisët ardhja në Shqipëri u shoqërua edhe me një gjenocid tjetër të tipit komunist nga shteti i diktaturës së proletariatit. Nëse një popull i tërë vuajti pasojat e gjenocidit stalinist të Enver Hoxhës, për çamët kjo ishte një gjenocid më i drejtpërdrejtë se ishte kjo popullatë që vuajti pasojat edhe më rëndë për shkak të përbuzjes, persekutimit, moskonsiderimit dhe keqtrajtimit politik, moral, shoqëror dhe ligjor. Janë të njohura pasojat që la sistemi diktatorial mbi popullsinë çame sa edhe sot e kësaj dite reminishencat e së kaluarës janë prezente në jetën civile shqiptare në forma e modele tipike të kohës së diktaturës enveriste.

ATA QË VUAJTËN TRI GJENOCIDET

Por në jetën e kësaj popullate, ka pasur edhe pjesëtarë të tjerë që veç gjenocidit grek dhe atij komunist, vuajtën edhe gjenocidin nazifashist. Veç pjesëmarrjes së çamëve në luftën antifashiste, pati pjesëtarë të tij, që edhe u internuan në kampet e shfarosjes në masë, si në Itali dhe në Gjermani. Për hir të së vërtetës, në vitin 2005, Presidenti i Shqipërisë në atë kohë, Alfred Moisiu, me dekretin Nr. 4478, datë 08. 02. 2005 dekoroi me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dy pjesëtarë të shqiptarëve nga Çamëria, Nuri Emin Zane (pas vdekjes) dhe Hajri Hasan Fetahu (pas vdekjes) me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos”. Ndërkohë që janë edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj popullate që kanë qenë të ishinternuar edhe në Itali e më pas edhe në Gjermani si antifashistë të Çamërisë që ende sot e kësaj dite mbeten të panjohur dhe të panderuar si të tillë. Nuk mund të them se është faji i njërit apo tjetrit shtetar apo pushtetar, por është mosvëmendja dhe mosdija se çamët nuk janë ata që thonë grekët, por janë atdhedashësit e emrit “shqiptar, të flamurit shqiptar, të identitetit shqiptar”, janë antifashistë dhe luftëtarë të radhëve gjatë Luftës II Botërore. Në kujtesën kombëtare do të doja të sillja vëmendjen të opinionit publik mbarëkombëtar kontributin edhe të burrave të tjerë si Mezan Emin Jonuzi dhe Osman Zenel Taka që u internuan edhe në Itali, edhe në Gjermani. Për më tepër flasin edhe historitë e këtyre burrave që u bënë dëshmitarët okularë të masakrave gjenocidiste në kampet e shfarosjes në masë.

MEZAN EMIN JAKUPI

Lindur më 30 gusht 1910 në fshatin Varfanj të Gumenicës në Çamëri. Sipas pohimeve të djalit të tij, që është sot banor i Shkozetit në Durrës, Ferik Jonuzi, në vitin 1941, në fund të luftës italogreke ra në përpjekje me italianët dhe u kap rob. Fillimisht u burgos në Greqi. Por, pas disa muajsh u transferua në Itali, ku ndenji 2 vjet. Dihet tashmë se cila ishte jeta e të internuarve në këto kampe famëkëqija, ku kanë qenë shumë e shumë shqiptarë të tjerë. Pas kapitullimit të Italisë më 1943, këta të internuar të këtyre kampeve i çojnë në Gjermani në kampet e tmerrshëm në Mat’hausen e Dakao, në Aushvic e gjetkë. Për Mezsan Jonuzin, ashtu si edhe për Osman Takën e bashkë me ta edhe për Nuri Zane e Hajri Fetahu si apo edhe Alush Sejkon dhe shumë e shumë të tjerë ishte fati i madh që mbijetuan shfarosjes dhe më pas u bënë të gjallë në dyert e shtëpive të tyre. Por për këta pjesëtarë të shqiptarëve të Çamërisë ishte një tragjedi më e madhe se, pasi i shpëtuan gjenocidit nazifashist, ishin grekët dhe shteti i tyre që kishte përzënë me forcë, me zjarr e me hekur familjet e këtyre antifashistëve. Ky ishte kulmi i padrejtësisë, por fati ishte i paracaktuar dhe tragjik. Pak veta e dinin se Enver Hoxha kishte dërguar në Greqi Nesti Kerenxhin për t’u informuar për të vërtetën e shpërnguljes së çamëve dhe që erdhën në Shqipëri dhe ai kur u kthye tha se “fajin e kishin çamët” sepse edhe vetë Nesti ishte pjesë e komunitetit arumun që ishin bashkëpunëtorë me grekët për të shfarosur çamët që më pas erdhën në Shqipëri. U desh kjo që udhëheqja komuniste të sillej më dyshime ndaj çamëve.

MBARIMI I LUFTËS

Kur mbaroi lufta, të gjithë robërit u liruan. Sipas Ferikut, “babai im erdhi me avion nga Gjermani në vitin 1946 në Tiranë. Kështu e di unë. Atje u takua te pazari i vjetër me një patriot çam, Mehmet Taipi nga Varfanji, që ishte edhe bashkëfshatari i tij, me të cilin bëri një fotografi si kujtim, që e kam edhe sot e kësaj dite, si edhe një fotografi që babai e ka bërë në Gjermani pas internimit”

Familja e Mezan Jakupit ishte strehuar në një stallë lopësh në Kavajë, ku erdhi edhe i internuari në kampet e tmerrshme dhe që më pas do të jetonte përsëri një jetë të tmerrshme. Më pas, me iniciativën e tij, familja u vendos në Plazhin e Durrësit në vitin 1947, në një barake. Nuk bëhej fjalë për mirënjohje apo nderim për ish-të internuarin. U detyrua të bënte punë të ndryshme dhe më pas si karrocier. Është tragjike të mendosh se si një i internuar në kampet e përqendrimit që fatmirësisht edhe me ndihmën e Zotit shpëtoi gjallë, në vitin 1949, për motive politike, e internuan në Llozhan të Korçës deri më 20 dhjetor 1949. Ishte një internim që qeveria e ashtuquajtur demokratike e Enver Hoxhës, u bë vegël e qarqeve prokomuniste greke që kërkoi të impononte popullatën çame që të luftonte kundër ushtrisë greke në Gramoz. Dihet botërisht që një fakt i tillë u kundërshtua me forcë dhe qartazi nga popullata çame dhe si hakmarrje që diktatori shqiptar i internoi në kënetën e Maliqit dhe në Llozhan. Mezan Emin Jonuzi vdiq më 4 shkurt 1963 në Shkozet të Durrësit, ku edhe jeton ende sot e kësaj dite familja e tij. Duhet thënë se kjo familje me kontribute në Luftën Antifashiste nuk mori asnjë ndihmë, as edhe pension lufte, as edhe ndonjë përkrahje. Përkundrazi, i biri i tij, njëri nga 4 fëmijët e tij, Ferik Mezan Jonuzi, në 28 dhjetor 1979 u dënua për agjitacion e propagandë 6 vjet burg, që i vuajti në burgun e Spaçit dhe me heqjen e së drejtës së votimit për tre vjet.

Ishte ky një nga format e “dëmshpërblimit” që u bënte qeverisja diktatoriale e lidhur kokë e këmbë me grekët u bënte trashëgimtarëve të shqiptarëve të Çamërisë. Tre djemtë Mezanii Jonuzit, Zijai lindur më 1938, Feriku lindur më 1940 dhe Pëllumbi lindi më 1951, si dhe vajza Liria që lindi më 1948, kujtojnë me respekt babain e tyre dhe shprehen të indinjuar për mosvlerësimin në asnjë kohë të kontributeve të tij dhe vuajtjen nga tri gjenocidet, ai nazifashist, ai grek, dhe ai komunist.

Të njëjtat fjalë duhen thënë edhe për Osamn Zenel Taka, që gjithashtu ishte bashkëvuajtës së bashku me Mezan Emin Jakupin. Njëherazi këta janë edhe aktakuza më e madhe ndaj qeverisë dhe zyrtarëve grekë që përdorin karta e djegura për të mbajtur në fuqi ligjin e luftës dhe antishqiptarizmin primitiv ballkanik. Janë këto edhe argumentet më faktike për t’u përdorur nga historigrafia shqiptare dhe diplomacia shqiptare për dinjitetin e një kombi.

Nga ana tjetër, nëse Alush Sejko shpëtoi gjallë nga internimi në Itali erdhi në Shqipëri dhe pas disa vitesh u dënua nga regjimi stalinist që e dënoi me pushkatim birin e Çamërisë. Kam takuar dhe folur me të motrën e tij, Shekon, që e kishte brengë asgjësimin e vëllait për një fjalë goje.

EPILOG

Këto të vërteta historike për shqiptarët e Çamërisë për fatin e keq asnjëherë nuk përmenden nga qeverisjet e njëpasnjëshme, as nga i quajturi Komiteti i veteranëve. Por më keq akoma e quajtura Shoqata Çamëria nuk i ka përmendur një herë si simbole të antinazifashizmit, kontributi i të cilëve duhet të shkruhet me germa të arta, ashtu si edhe kontributi i Ali Demit, “Hero i Popullit”, varri i të cilit ka mbetur në Vlorë pa ardhur eshtrat e tij tek varrezat e kombit në Tiranë. Nuk mund të them asnjë fjalë për ata që quhen deputetë të PDIU, që kanë mbetur si eunuk në parlament sepse fjala dhe veprimtaria e tyre nuk është në shërbim të kauzës së Çamërisë prej të cilës marrin vota, por në favor të interesave të tyre private, që e diskretitojnë veten para të vërtetave historike me peshë në kujtesën kombëtare.

Të internuar në kapet në Itali dhe Gjermani Hajri Hasan Fetahu, nga Grikohori i Çamërisë, internuar në Itali dhe Gjermani Mezan Emin Jonuzi, nga Varfanj të Gumenicës në Çamëri, internuar në Itali dhe Gjermani Nuri Emin Zane, nga Filati i Çamërisë, internuar në Dakao të Gjermanisë Osman Zenel Taka, nga Filati i Çamërisë, internuar në Itali dhe dhe Gjermani Bejaz Muhamet Muho, nga Arpica e Çamërisë, internuar në Mathauzen. Ka qenë bashkë me një bashnjak që jeton në Sukth familja, i quajtur Meshan Kadiqi, kanë ardhur në Shqipëri më 1946. Aty mësoi edhe zanatin e furrxhiut, që punoi deri sa doli në pension në Sukth. Alush Xhemil Sejko nga Filati i Çamërisë, internuar në Itali, pushkatuar nga komunistët.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura