Viti më i mirë turistik?

Oct 15, 2024 | 7:52
SHPËRNDAJE

NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

A është ky vit, viti më i miri turistik që kemi njohur? Pa dyshim që po! Në nëntëmujorin janarshtator 2024, në vendin tonë hynë 9.7 milionë vizitorë të huaj, ose 1.4 milionë më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë. Sigurisht jo të gjithë ishin turistë. Madje, një pjesë e mirë e qindra mijërave kosovarëve që na vizituan këtë vit, u drejtuan për në aeroportin e Rinasit për të fluturuar në destinacionet shumë të lira të këtij aeroporti, kudo në Evropë. Kosovarët po shijojnë lirinë e të udhëtuarit pa vizë në të 29 vendet evropiane të zonës Schengen. Nga Shqipëria tani mund të fluturosh në 136 qytete në Evropë.

Të njëjtën gjë bënë edhe mbi 180 mijë qytetarë nga Mali i Zi. Një pjesë shumë e vogël e tyre erdhi për të pushuar në Shqipëri këtë vit, pasi kanë det boll në vendin e tyre. Mbi 90 për qind zgjodhën Rinasin për të udhëtuar me avion, pasi nga Podgorica fluturimet janë ose më të shtrenjta, ose nuk ka fluturime të drejtpërdrejta në qytetet ku duan të shkojnë. Megjithatë, turizmi ynë, edhe pse me një numër më të pakët kosovarësh në plazhet tona, nuk e vuajti shumë këtë ndryshim.

Plot 4.5 milionë vizitorë të huaj vizituan zonat e mbrojtura dhe pasuritë kombëtare në periudhën janar-shtator të këtij viti dhe prej tyre, mbi një milion qendrat arkeologjike dhe kulturore të vendit. Dhe të gjithë këta janë mirëfilli turistë, pasi ai që vjen për të fluturuar nga Rinasi nuk viziton zonat e mbrojtura dhe qendrat arkeologjike e kulturore. Turistët në këto zona janë më shtim 18 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ndërkohë, turizmi ynë nuk do të qëndrojë më ai i plazheve të pakontrolluara, ku privatët marrin përsipër edhe të të pengojnë kalimin në vijën e bregdetit që kanë zënë, pa paguar shëtitori biletën e hyrjes!

Qeveria këtë javë do të miratojë një skemë të re të menaxhimit të hapësirave publike në plazhe, duke i dhënë fund dukurisë së shëmtuar të mbipopullimit dhe xhunglës së çadrave dhe shezlongëve. Në çdo 1 km plazh do të ketë minimumi 300 metra plazh publik. Qytetarëve me të ardhura modeste do t’u kthehet më në fund bregdeti i Jugut, i humbur mes pseudondarjeve private të plazheve, ku çdo çadër kushtonte mesatarisht 15-25 mijë lekë të vjetra dita! Reforma në turizëm parashikon që të drejtën për shezlongje private ta kenë vetëm hotelet. Hotelet do ta gëzojnë këtë të drejtë, në varësi të numrit të dhomave dhe me distancë nga njëri-tjetri. “Parajsa” abuzive e bareve dhe restoranteve në bregdet që pushtonin plazhet nuk do të jetë më.

Çadrat në të gjithë vijën bregdetare do të menaxhohen nga bashkitë, të cilat do të kenë një çmim tavan dhe të arsyeshëm, mbi të cilin nuk mund të abuzohet më nga baret dhe restorantet buzë detit. Ndërkohë, për ta menaxhuar më mirë, vendi do të ndahet në gjashtë rajone turistike. Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni turistik qendror me Elbasanin, Krujën dhe Fierin si kryeqendra, rajoni turistik i bregdetit të Jonit dhe rajoni turistik jugor i brendshëm, me kryeqendër Korçën dhe Gjirokastrën. Vendi del nga një zhvillim disi kaotik në turizëm.

Qeveria këtë javë kalon për diskutim publik Strategjinë e Turizmit 2025-20230. Në këto gjashtë vite, ajo mendon të rrisë netqëndrimet e çdo turisti në hotele me 138 për qind, shtim me 4 herë të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit nga formalizimi i sektorit, si dhe rritje me 65 për qind të numrit të të rinjve që do të vazhdojnë studimet e larta në një prej programeve të dedikuara turizmit në të gjithë sistemin tonë arsimor të mesëm dhe të lartë.

Strategjia mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: në investimet shtetërore më të rritura, në politikat fiskale dhe rregullatore të përmirësuara në turizëm, në menaxhimin profesional të destinacioneve, në zhvillimin e produktit turistik, në marketingun (shitjen) e destinacioneve dhe në përgatitjen e profesionistëve të kualifikuar. Me letra strategjia duket mirë, por sfida qëndron e gjitha në terren, ku informaliteti jashtëzakonisht i përhapur në turizmin tonë ka bërë që shteti të dalë me këpucë të kuqe në të ardhurat e futura në thesin e përbashkët.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura