“Prej muzeve mësojmë se kush kemi qenë”, kështu u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, dje në analizën vjetore të institucionit, duke na lënë të kuptonim se 2012 do të jetë viti i muzeve. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pritet që në datën 10 shkurt të bëhet publik një kalendar aktivitetesh, të cilat sipas Bumçit do të jenë një gërshetim i aktiviteteve festive dhe atyre historike. Duke kujtuar shtrembërimin që pësoi historia shqiptare gjatë viteve të kulturës, Bumçi tha se “kemi nevojë të njohim historinë tonë”. E duket se në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luajnë muzetë, të cilët pas viteve ’90 u përfshinë nga një valë masive shkatërrimi, në të gjithë territorin e Shqipërisë. E sot lind nevoja e ringritjes dhe modernizimit të tyre. “Kemi nevojë të rrisim ndjeshëm numrin e muzeve në Shqipëri për dy qëllime: për qëllime edukative si tempuj të historisë dhe kujtesës kombëtare, por dhe si burime të rëndësishme turistike që gjenerojnë të ardhura dhe rrisin kohën e qëndrimit të turistëve në zonë”, tha Bumçi.
Sipas tij, gjatë këtij viti në qendër të vëmendjes do të jenë përfundimi i punimeve në disa qendra shumë të rëndësishme, si Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili luan një rol shumë të rëndësishëm për turizmin e një prej qyteteve më të rrahura prej turistëve, për të vijuar me Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, që do të jetë dhe qendra e festimeve këtë vit, Muzeu Arkeologjik i Elbasanit, për të ardhur në kryeqytet, ku pas shumë përpjekjesh më në fund pritet që të hapet Pavijoni Etnografik në Muzeun Historik Kombëtar. Po në MHK pritet të hapet Pavijoni muzeor i Gjenocidit Komunist, i cili ka qenë një nga pavijonet më të kërkuara nga turistët që vizitojnë këtë muze. Ngritja e këtij pavijoni, i cili ka njohur disa hapje e mbyllje në historinë e vet, bëhet i mundur përmes një financimi nga buxheti i shtetit në vlerën e 5.2 milionë lekëve. Por ky nuk do të jetë i vetmi muze që do t’u kujtojë shqiptarëve anën më të errët të diktaturës. Sipas ministrit Bumçi, pritet që gjatë këtij viti të ngrihet Muzeu i Gjenocidit Komunist në Shkodër. Për ngritjen e këtij muzeu do të shërbejnë ambientet e ish-Degës së Brendshme të Shkodrës, i cili mbahet si qyteti me më shumë zyra hetuesie. Sipas Bumçit, më tej do të vijohet me kthimin në muze të Burgut të Spaçit. Krahas investimeve nga buxheti i shtetit, listës së muzeve do t’i shtohen edhe dy projekte private. Bëhet fjalë për ngritjen e një muzeu etnografik në Durrës, një në Kalanë e Gjirokastrës dhe një tjetri në tunelet e Porto- Palermos. Po në këtë kuadër, pritet ngritja e një muzeu kushtuar piktorit me origjinë shqiptare Lin Delia, i cili krijoi në Antrodoko të Italisë. “Ministria po negocion për mundësinë e sjelljes së pikturave te piktorit të njohur Lin Delia në Shqipëri”, tha Bumçi, duke premtuar ngritjen e muzeut brenda vitit 2012.
Rijetëzimi i monumenteve, hyn në lojë privati
Duke e parë trashëgiminë kulturore si një nga tërheqjet më të mëdha turistike, MTKRS ka vendosur që t’i kthejë sytë nga “rijetëzimi” i monumenteve të kulturës. “Me këtë numër të madh monumentesh është e pamundur të arrihet mbrojtja e tyre vetëm me investimet nga buxheti i shtetit, ndaj ne duhet të thithim sa më shumë fonde”, tha ministri Aldo Bumçi dje, gjatë analizës vjetore. “Do të shpallim publikisht një listë me monumente kulture dhe do të nisë procesi i rijetëzimit të këtyre objekteve nëpërmjet përfshirjes së sektorit privat, në shembullin e nismave që janë marrë në kalatë e Lezhës dhe të Ndroqit, të cilat do të mbështeten dhe zbatohen plotësisht nga sipërmarrje private”, tha Bumçi. Duke marrë si shembull rastin e Kalasë së Ndroqit, ministri tha se nga një zonë e izoluar, ku nuk ka as rrugë, ajo do kthehet në një qendër të vizitueshme. Sipas tij, përmes kësaj nisme synohet rritja e nivelit të mbrojtjes së monumenteve, duke tërhequr fonde private, kthimin e këtyre monumenteve në destinacione turistike, duke gjeneruar të ardhura për komunitetet ku ndodhen. Në kuadrin e këtij projekti, pritet që gjatë këtij viti të përmirësohet gjendja e kalave dhe qendrave historike të Shkodrës, rrugës “Kardinal Koliqi”, Rruga “Egnatia” në Elbasan, “Pazari i Vjetër” në Korçë, Kalaja e Beratit, përmes Programit IPA 2009 me vlerën 3,1 milionë euro.
Muzetë dhe pavijonet e rinj
• Muzeu Arkeologjik i Durrësit
• Muzeu i Pavarësisë në Vlorë
• Muzeu i Genocidit Komunist në Shkodër
• Pavijoni Etnografik në Muzeun Historik Kombëtar
• Pavijoni i Genocidit Komunist në MHK
• Muzeu Arkeologjik i Elbasanit
• Muzeu Etnografik i Durrësit
• Muzeu në Kalanë e Gjirokastrës
• Muzeu në tunelin e Porto Palermos
• Muzeu i piktorit Lin Delia
Berat, Bashkia mbyll Muzeun Historik për mungesë fondesh
BERAT- Bashkia e Beratit ka vendosur të mbyllë Muzeun Historik të qytetit, duke argumentuar se s’ka as ambiente dhe as para për të paguar drejtoreshën e këtij muzeu. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, anëtarët e saj vendosën ta mbyllnin muzeun, ndonëse interesi për ta vizituar nga turistët që vijnë për të parë qytetin e UNESKO-s është mjaft i lartë. Drejtoresha e Muzeut Historik, Mirela Guga, me titullin doktoreshë e Shkencave, u largua nga kjo detyrë dhe e emëruan si një punonjëse të thjeshtë në librarinë qendrore të qytetit. Burime nga Bashkia bënë të ditur se vendimi për mbylljen e muzeut ka ardhur, pasi nuk mund të përballonin fondet për pagesat që duhej të bënin në të. Ky vendim ka sjellë reagimin e intelektualëve të qytetit, të cilët e kanë konsideruar absurde këtë situatë. Tashmë nuk dihet se ku do të përfundojnë materialet me vlera historike të këtij muzeu. d.xhMinistri Bumçi: Drejtorët “pensionistë” s’është e lehtë t’i zëvendësosh
Ndonëse me vendim të Këshillit të Ministrave, punonjësit që plotësojnë moshën, ndërpresin marrëdhëniet e punës, në ndonjë institucion kulturor, drejtuesi e ka kaluar me kohë moshën. I pyetur mbi këtë çështje, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, u shpreh se kultura ka karakter specifik dhe nuk funksionon si fushat e tjera, ku prurjet janë më të mëdha. “Në kulturë luan rol të madh aftësia, talenti dhe nuk është e lehtë që të zëvendësosh një figurë të spikatur. Kjo do të ndodhë, por ne duhet të jemi të matur e jo të ngutur në zëvendësimin e tyre, me qëllim që aktiviteti i institucioneve përkatëse të mos ndërpritet, por të vijojë normalisht”, u shpreh Bumçi.
ALMA MILE
© Panorama.al











