Violina e Agustin Simonit çon në Kanada muzikën shqiptare

Aug 25, 2011 | 13:33
Violinisti Agustin Simoni

“Kur nuk mundesh të bësh atë çka do, atëherë bëj atë çka mundesh”. Kjo thënie e Leonardo Da Vinçit, gjetur mes librash të vjetër në fëmijëri, e ka shoqëruar gjithë jetën.E ka shtyrë përpara… dhe fatmirësisht ai bëri çka mundi, por edhe çka deshi. Agustin Simoni është një violinë e njohur në Shqipëri. Për 28 vjet ishte koncertmaestër i Orkestrës së RTSH-së dhe tani, prej vitit 1998 jeton në Kanada, ku për asnjë moment nuk i është ndarë violinës. Vjen herë pas here në Shqipëri për koncerte apo për të takuar familjarë. Kësaj here ka sjellë me vete edhe një lajm të mirë. Ka realizuar një CD me muzikë të kompozitorëve shqiptarë, e cila do të transmetohet në radion qendrore kanadeze CBC. Transmetimi nis në muajin shtator. Violinisti na tregon për projektin dhe për jetën e tij.
Sa herë vini në Shqipëri, na sillni lajme të mira. Kësaj here keni realizuar një CD me muzikë shqiptare në Kanada. Si lindi ky projekt?
Gjithnjë më ka grishur ideja për të realizuar një CD me muzikë shqiptare por, duke qenë se një gjë të tillë e kam konsideruar si shumë të rëndësishme, mendova që më parë të krijoja një lloj eksperience. Kam realizuar dy CD të tjera, me shpresën që një ditë të realizoja një mirëfilli shqiptare.
Megjithatë, ju duhej një shtysë… Si u lidhët me Radio CBC?
Lidhja me radion ishte krejt rastësore. Një ditë, drejtori i shkollës ku unë jap mësim më tha se një producent i kanalit televiziv CBC ishte i interesuar që të mësoja një aktore si të luante gishtat në violinë, pasi kishte rolin e një violinisteje në një serial televiziv. U kërkova që të më jepnin dhe muzikën përkatëse që ajo të mësonte në bazë të muzikës. Më dhanë tre CD dhe mes tyre ishte edhe një imja. I dhashë disa leksione aktores dhe e ndoqa gjatë xhirimeve të filmit. Teksa rrija aty, më vjen një nga producentët, i cili më thotë se i kishte pëlqyer shumë CD-ja ime dhe se, nëse kisha CD me muzikë shqiptare, ta paraqisja një herë tek CBC Radio Kanada, se ata patjetër do ishin të interesuar. U thashë se nuk kisha, por do ta bëja…
Dhe kështu nisët punën…
Nuk ishte e thjeshtë. Së pari duheshin siguruar partiturat, të cilat këtu janë ose të shkruara me dorë, ose të kopjuara keq nga kompjuteri. Kështu që m’u desh të rregulloja partiturat për t’ia paraqitur pianistes, e cila si profesioniste nuk mund ta konceptonte dot të punonte mbi një partiturë të shkruar keq. Pastaj m’u desh pak punë me pianisten, për të cilën ishte hera e parë që luante këto pjesë, aq më tepër që i përkisnin një stili krejt ndryshe nga ç’kishte luajtur më parë. Pas provave nisëm regjistrimet, të cilat i realizuam në një kishë, ku akustika ishte shumë e mirë. Të them të drejtën, m’u desh të shpenzoja shumë, pasi duhet të mbuloja shpenzimet e pianistes, regjistrimit dhe kishën. Nuk arrita të gjeja dot një sponsor. Për dizajnin e CD-së më ndihmoi im bir, që është piktor e që jeton në Spanjë. Pasi gjithçka përfundoi, ia çova Radio Kanadasë.
Cila ishte përgjigjja e tyre?
Të them të drejtën isha në siklet, sepse nuk e dija si do pritej. Ishte hera e parë që një CD shqiptare shkonte në një radio kanadeze. Për çudi, përgjigjja ishte pozitive dhe e menjëhershme. Ata e pranuan CD-në, më thanë se do ta bëjnë pjesë të koleksionit të radios dhe do t’ua shpërndajnë të gjithë producentëve të radios CBC në gjithë Kanadanë. Sigurisht që u gëzova shumë, sepse nuk ishte vetëm një arritje personale, por do të prezantoheshin edhe kompozitorët shqiptarë dhe në këtë mënyrë u bëra një lloj ambasadori i muzikës shqiptare.
Na flisni pak për përmbajtjen e CD-së, ç’autorë e vepra përmban ajo?
CD-ja nuk është e gjatë, sepse nuk u nisa të bëj një album për ta shitur. Dëshiroja të përfshija aty muzikën që më pëlqente, por edhe më përfaqësuese. CD-ja fillon me një sonatë nga Çesk Zadeja. Shumë interesante, në dy kohë. Tek e para, të cilën pianistja e pëlqente shumë, mendoj se Çesku ka dashur të paraqesë relievin e Shqipërisë. Violina ngjitet lart, zbret poshtë, si të udhëtojë në malet dhe luginat shqiptare. Koha e dytë është Allegro. Është një temë valleje e përpunuar për sonatë. Pjesa e dytë është e Aleksandër Peçit “Tri valle shqiptare”. Janë shumë të njohura dhe interesante. E para është “Vallja e Daulles”. Duket shumë e vështirë të luash daullen në violinë, por Peçi e ka realizuar shumë bukur. “Andante” është një valle e qetë dhe “Allegro con brio” është vallja e tretë, me të vërtetë shumë moderne. Pastaj vjen Gjon Simoni “Koncert për violinë, koha II”. Një pjesë shumë melodioze. Gjoni ishte një orkestrues shumë i mirë dhe, kur e regjistrova, pata merakun në do t’ia dilja, pasi në këtë pjesë një rol shumë të madh ka orkestra. Pjesa tjetër është “Balada” e Pjetër Gacit, pjesa më e dëgjuar për violinë në Shqipëri. Të fundit janë dy pjesë të Albert Paparistos: Romancë dhe Humoresque. Me karakter shqiptar dhe shumë moderne.
Na flisni pak për veten, si jeni lidhur me violinën?
E kam filluar violinën në moshën 10-vjeçare dhe kur isha 15 vjeç u futa në Filarmoninë Shqiptare, ku më ka ndihmuar shumë maestro Islam Petrela. Mandej shkova në Ansamblin e Ushtrisë, ku m’u dha mundësia të mësoja shumë. Pasi kreva ushtrinë, u emërova si koncertmaestër në Orkestrën e Radio-Televizionit, ku punova plot 28 vjet. Realizuam të parat koncerte për violinë dhe kam interpretuar të gjitha solot për violinë në kolonat zanore të filmave. Me ndërrimin e sistemeve, shkova në Greqi. Emigrimi ishte i vështirë si për të gjithë. Por nuk iu ndava për asnjë moment ushtrimit të violinës. Madje, atje edhe u diplomova në moshën 57-vjeçare “me nder”. Atje pata mundësinë të punoja në Orkestrën e RTV grek, ku dirigjent ishte Mikis Teodoraqis, i cili i donte shumë shqiptarët, pasi siç thoshte ai, ishin muzikantë shumë të mirë. Me Teodoraqis zhvilluam turne në gjithë Amerikën dhe në Kanada. Kur u ktheva në Greqi, aplikova për në Kanada dhe shkuam atje në vitin 1998.
Po më pas, si e gjetët rrugën në Kanada?
Fillimisht m’u desh të mësoja gjuhën angleze. Konkurrova dhe fitova një vend në Filarmoninë Kanadeze. Ndërkohë, kontaktova me një shkollë private, që quhet Fakulteti i Muzikës së Torontos. Iu përkushtova mësimdhënies. Ngritëm një trio harqesh, ku bënte pjesë edhe ime bijë violiniste, realizova dy CD dhe kam ardhur dy herë në Tiranë, ku kam dhënë dy koncerte me Orkestrën e TKOB-it dhe të RTSH-së. Momentalisht kam 30 nxënës të të gjitha moshave, kam ngritur një orkestër harqesh, të cilën e dirigjoj vetë, madje edhe u përshtat partiturat në varësi të nivelit të nxënësve.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura