
Tiranë, i dënuari po shihte ndeshjen, doli nga lokali të fliste në celular.
Si u lirua nga burgu një vit më parë i vrari me 7 plumba.
Bledar Balliu, i vrarë të enjten me shtatë plumba, dyshohet se nuk e ka njohur telefonuesin që e detyroi të dilte nga lokali, duke rënë në pritën e ekzekutorëve katër ditë më parë.
Personazhi i dënuar më parë për trafik droge dhe i liruar në korrik 2011 pas mbajtjes në burg për një muaj në lidhje me vrasjen e Aleksandër Koliçit, u qëllua me armë gjatë ndeshjes Spanjë-Portugali. Vrasja ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes, pasi Balliu mori një telefonatë dhe doli nga lokali për të folur në telefon. Dëshmitarët e pranishëm në lokal janë rimarrë në pyetje dhe u kanë thënë hetuesve se 35-vjeçari e kishte hapur telefonin duke dalë nga lokali, pasi nga zhurma e madhe brenda nuk dëgjohej mirë. Sipas dëshmitarëve, reagimi i Balliut në momentin që ka marrë telefonatën i ka bërë ata të mendojnë se telefonuesi ishte një i panjohur, madje, sipas personave okularë, ka qenë pikërisht qëllimi për të marrë vesh kush ishte telefonuesi ai që e ka nxjerrë jashtë lokalit Bledar Balliun. Pasi u qëllua me shtatë plumba, atij i është marrë telefoni celular, i cili është zhdukur.
Si u lirua Bledar Balliu
Një vit më parë, 35-vjeçari Balliu u la i lirë nga Gjykata me dakordësinë e prokurorit, pasi ishte mbajtur disa ditë në burg për vrasjen e Aleksandër Koliçit. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila caktoi masë sigurie me afat ndaj Balliut, sqarohet se në momentin e vrasjes Balliu kishte lëvizur nga lokali pranë vendit ku ndodhi atentati. “Ka rezultuar e provuar se më datë 15.07.2011, rreth orës 21:50, në rrugën ‘Ymer Kurti’ është vrarë me armë zjarri shtetasi Sandro Koliçi, banor te vendi i ngjarjes, i cili në momentin që është vrarë ka qenë duke u futur në banesën e tij. Policia Gjyqësore ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka proceduar me kryerjen e veprimeve hetimore si këqyrje e vendit të ngjarjes, ku është fiksuar një gëzhojë e kalibrit 9 mm, si dhe një tampon steril me gjak”, thuhet në vendim. “Nga këto hetime rezulton se viktima, në vitin 2006, është arrestuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, së bashku me një grup prej gjashtë personash, ku në këtë grup ka qenë bashkëpunëtor dhe shtetasi Arif Shehu, ose, siç e ka pasur emrin në kohën e arrestimit, Bledi Balliu. Nga deklarimet e familjarëve të viktimës rezulton se ky i fundit, gjatë kohës që ka qenë në burg, ka pasur kontradikta dhe kërcënime të forta nga shtetasi Arif Shehu, pasi ky i fundit e akuzoi viktimën se ishte ai që e kishte shitur para drejtësisë shqiptare”, thekson Gjykata. Policia Gjyqësore, sipas saj, ka identifikuar dhe gjetur shtetasin Arif Shehu (Bledi Balliu), të cilit gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, që ndodhet në rrugën “Sami Frashëri”, 100 metra larg vendit të ngjarjes, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, një jelek antiplumb, si dhe disa fotokopje deklarimesh të dhëna nga viktima Sandro Koliçi, në fazën e hetimit që është bërë nga Prokuroria për Krime të Rënda, Tiranë.
Përplasja e dëshmive
Nga pyetja e disa dëshmitarëve të lokalit, konkretisht M. B. dhe Y. B., rezulton se Balliu ka qenë te ky lokal në orën 21:00, ndërkohë ky lokal është 70 metra larg nga vendi i ngjarjes. Pasi ka qëndruar rreth 30 minuta në lokal, Balliu është ngritur dhe pa paguar është larguar për t’u kthyer pas 20-30 minutash. Më pas ka qëndruar dhe rreth 30-45 minuta dhe më pas është larguar nga lokali ku ka bërë dhe pagesën e pijeve që kishte konsumuar. Sipas pohimeve të dëshmitarëve, Balliu mbante të veshura një palë pantallona treçerekshe, me ngjyrë të zezë, një këmishë me mëngë të gjata me ngjyrë bezhë. Nga deklarimet që ka dhënë vetë Balliu ka kontradikta, pasi ai nuk e pranon faktin që të ketë kërcënuar dhe të ketë pasur konflikte me viktimën. Nga këto deklarime, i dyshuari Arif Shehu thotë se pasi ka dalë nga lokali, është vonuar vetëm 5 minuta për t’u rikthyer, ndërsa deklarimet e dëshmitarëve rezultojnë se ai është vonuar për t’u rikthyer 20-30 minuta. Shtetasi Arif Shehu pohon se kur doli nga lokali ka shkuar te një dyqan ngjitur me lokalin për të blerë një kartë vodafoni, por ky dyqan nuk kishte kështu kartash telefoni dhe thotë që në ato momente në dyqan ka qenë duke shitur një burrë. Është identifikuar nga ana e Policisë Gjyqësore shitësi i dyqanit, i cili në deklarimin e tij pohon se e njeh si fytyrë këtë person, por ai në mënyrë absolute nuk ka shkuar te dyqani i tij në darkë për të blerë karta telefoni, pasi ky ka dhe disa muaj që nuk shet të tilla karta telefoni.











