Vidhnin “Benza” për skrap, dy në kërkim

May 3, 2012 | 14:42

VLORE – Vidhnin “Benza” dhe më pas i çonin në një pikë të grumbullimit të skrapit, ku shpërbëheshin në pjesë këmbimi. Policia e Vlorës bëri të ditur se ka shpallur në kërkim dy të rinj, ndërsa arriti të arrestonte pronarin e pikës së grumbullimit, i cili kishte pranuar automjete të vjedhura për skrap. Hetimi nisi pas denoncimit të pronarëve, mjetet e të cilëve ishin grabitur gjatë natës. Pas hetimit të kryer është arritur të zbardhet veprimtaria kriminale e dy të rinjve vlonjatë, të cilët i vidhnin mjetet dhe më pas i shisnin ato për skrap në pikën e grumbullimit të hekurishteve në Levan të Fierit. Aty makinat çmontoheshin dhe shiteshin për pjesë këmbimi. Ndërsa pjesa e mbetur shitej për skrap në Elbasan. “Si rezultat i hetimeve të kryera janë shpallur në kërkim shtetasit B.SH., 25 vjeç i cili ka rezultuar se është autor i vjedhjes së automjeteve tip “Benz” 240 me targë VL 9385 A, ngjarje e ndodhur më 19 prill 2012 dhe mjetit “Benz” 240 me targa VLVL 9200, vjedhur më 23 prill 2012. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe A.M., 19 vjeç, i cili dyshohet se ka vjedhur automjetin tip “Mercedes-Benz” 240 me targa VL 7965 A, më 30 prill 2012″, bëri të ditur Policia. Hetimi në pikën e grumbullimit të skrapit në Levan të Fierit ka filluar pas sinjalizimit të njërit prej pronarëve të një automjeti të vjedhur. Pas “hetimit” të kryer në privatësi, ai kishte parë kabinën e makinës së tij në pikën e grumbullimit për skrap në Levan të Fierit. Policia mbërriti në vend dhe vuri në pranga shtetasin Rasim Brahushaj, 56 vjeç, nga Levani i Fierit, pronar i pikës së grumbullimit të mjeteve për skrap. Ai është shprehur se personat i kishin paraqitur dokumente për automjetet dhe s’ka qenë në dijeni se makinat ishin të vjedhura.                                            q.biraku

© Panorama.al

Te lidhura