Shërbimet Sekrete amerikane janë vënë në qendër të kritikave për shkak të incidenteve që tregojnë pakujdesi të agjentëve. Një kamion i vogël, që u përkiste agjentëve sekretë amerikanë, i mbushur me pajisje që do të shërbenin për paraqitjen e zv.presidentit amerikan Xho Bajden në Detroit, u vodh jashtë një hoteli në qendër, të shtunën në mbrëmje. Vjedhja e kamionit ndodhi pak orë para vizitës së Bajdenit. Kamioni, i cili siç u njoftua ishte marrë me qira nga agjencia e sigurisë, ishte parkuar jashtë hotelit “Westin Book Cadillac” në qendër të qytetit dhe ishte mbushur me disa lloje pajisjesh. Zëdhënësi i Shërbimeve Sekrete, Eduard Donovan, tha se në kamion nuk kishte armë, por nuk pranoi të komentojë se çfarë kishte brenda tij, sipas raportimeve. “Vjedhja e kamionit nuk do të ndikojë fare në këtë vizitë” tha Donovan për “The Detroit News”, duke shtuar se “Ne nuk do të komprometonim kurrë sigurinë e një vizite”. Agjentët e kishin lënë kamionin të parkuar jashtë hotelit të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes kishin zbuluar se ai ishte vjedhur. Shërbimet Sekrete punuan me autoritetet lokale për gjetjen e kamionit, i cili ishte me targa Arizone. Kamioni u gjet nga Policia lokale të hënën, afër një spitali. Disa nga pajisjet që kishte brenda janë gjetur të hënën në mëngjes herët, në një shtëpi të braktisur dhe pjesa tjetër ishin brenda kamionit. Zv.presidenti Xho Bajden mbajti një fjalim fushate në një tubim në qendër të Denverit.
Incidenti i armës
Një agjente e Shërbimeve Sekrete ka harruar pistoletën e saj në tualetin e avionit të kandidatit republikan Mit Romnej, ndërsa ishte caktuar në detyrë për ta shoqëruar atë në Tampa të Floridës gjatë konventës. Avioni bëri një ndalesë të shkurtër elektorale në Indiana. Arma e saj më pas u gjet nga një reporter, i cili menjëherë ia kishte dhënë një anëtari të ekipit të sigurisë së Romnejt. “Ne e marrim shumë seriozisht kujdesin dhe mbrojtjen e armëve të zjarrit, incidenti po hetohet dhe do të trajtohet në mënyrën e duhur”, tha zëdhënësi i Shërbimeve Sekrete, Edvin Donovan.











