ELBASAN – Vjedh ambulancën e spitalit të Elbasanit, arrestohet 35-vjeçari. I riu ka pritur derisa është larguar shoferi i ambulancës në urgjencën e spitalit. Më pas ai është ngjitur në mjet dhe e ka ndezur atë me metodë profesionale të grabitjes së makinave. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur natën e së hënës në ambientet e urgjencës, kur 35-vjeçari Lavdim Kodra vodhi automjetin tip “Renault” autoambulancë, me targa EL 2951 C, në pronësi të spitalit “Xhaferr Kongoli”. Por autori nuk ka mundur të largohet nga ambientet e qendrës spitalore, pasi Policia arriti të ndërhynte në kohë dhe ta arrestonte atë. Dyshohet se Kodra e ka ruajtur drejtuesin e ambulancës. Ai ka pritur derisa shoferi ka parkuar makinën e është larguar, dhe më pas ka vepruar në mënyrë të shpejtë. Dyshohet se mjeti i vjedhur do të shitej me pjesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që do të çohej edhe për skrap. Një pistë e tillë është duke u hetuar, ndonëse të gjithë pronarët që tregtojnë skrap janë lajmëruar që të denoncojnë shtetasit që çojnë mjete në pikat e tyre. Policia bëri të ditur se 35-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur në momentin e kryerjes së krimit. Vjedhja e ambulancës së spitalit është një ndër ngjarjet e rralla që kanë ndodhur në këtë qark. m.s











