Videoja e Priftit, Meta letër Gjykatës

Jul 4, 2011 | 11:56

Ish-zv.kryeministri Ilir Meta kërkon që gjykimi ndaj tij për akuzën e “korrupsionit” në Gjykatën e Lartë të zhvillohet i plotë, debatues dhe i pandërprerë.Pa dashur të zgjidhë proceduralisht çështjen e nisur pas publikimit të video-përgjimit të realizuar nga Dritan Prifti, ish-zv.kryeministri heq dorë nga një prej kërkesave të tij paraprake të bëra në gjykatë. Nëpërmjet avokatëve të tij, ish-zv.kryeministri Meta pritet t’i paraqesë sot Gjykatës së Lartë një memo-kërkesë ku tërhiqet nga pretendimet e tij për shkeljen e afateve hetimore nga prokuroria. Kërkesa nga e cila Meta heq dorë bën fjalë dhe për pavlefshmërinë e dosjes për provat e mbledhura para heqjes së imunitetit të Metës. Memoja, që do të depozitohet nga mbrojtësit e Metës, mbështetet në nenin 110 të Kodit të Procedurës Penale “Mbi memot apo kërkesat e palëve në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit”. Seanca ku Gjykata e Lartë do të shprehet më vendim në lidhje me kërkesat paraprake të bëra nga mbrojtësit e Metës në seancën e 20 qershorit është caktuar të zhvillohet më 11 korrik 2011.
MEMO-KERKESA
Vetëm një javë para se Gjykata e Lartë të shprehet me vendim në lidhje me pranimin apo mospranimin e kërkesave paraprake të Ilir Metës në procesin gjyqësor ndaj tij në këtë gjykatë, ish-kryeministri Meta tërhiqet nga një prej kërkesave të artikuluara në seancën e 20 qershorit. Nëpërmjet avokatëve të tij, ish-zv.kryeministri Meta do t’i paraqesë Gjykatës një memo-kërkesë ku kërkon heqjen dorë nga kërkesa e tij për deklarimin e pavlefshëm të kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të ish-zv.kryeministrit. “Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake, e konkretisht nga: deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet”, thuhej në kërkesën e mbrojtësve të Metës, avokatëve Petrit Serani dhe Gëzim Veleshnja. Në vijim, në memo pohohet se “me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm proceduralisht”.
Në lidhje me pretendimet e tjera paraprake të bëra në seancën e 20 qershorit, avokatët bënin të ditur se i qëndronin kërkesës për pranimin e tyre. Sipas avokatëve, bëhet fjalë për “aktet e ekspertimit, dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin dhe provat materiale të marra në të njëjtën formë”.

Regjistrimi pa emër

Në memon drejtuar Gjykatës së Lartë, avokatët mbrojtës të Metës e konsiderojnë të nevojshëm vlerësimin nga Gjykata të faktit që çështja penale në ngarkim të Metës është regjistruar fillimisht pa emrin e tij. “Vlerësimin e këtij fakti, pra regjistrimin pa emër të kësaj çështjeje, në regjistrin e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërisë hetimore të organit të Prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij”, thuhej në memo.

Kërkesat në Gjykatë

Në seancën e 20 qershorit, gjatë paraqitjes së kërkesave paraprake të mbrojtës, avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta kërkuan pavlefshmëri të veprimeve hetimore të kryera nga 12.1.2011 deri më 16.2.2011, pasi, sipas tyre, janë kryer në një kohë që Meta gëzonte imunitet. Njëkohësisht pavlefshmëri u kërkua edhe për veprimet hetimore në periudhën 12.4.2011-9.5.2011, si të kryera jashtë afateve ligjore. Në vijim pavlefshmëri dhe papërdorshmëri u pretendua edhe për aktet e ekspertimit, dëshmitë e Dritan Priftit dhe provat materiale të sekuestruara nga Prokuroria.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura