Specialistët që “nxorën të pafajshëm zv.kryeministrin”, ende s`janë paguar për ekspertimin e videos së Priftit.
Detyrimi i Gjykatës së Lartë, 3.6 mln lekë të rinj, Bode s‘i jep.
Tre ekspertët shkencorë që kryen akt-ekspertimin e video-përgjimit “Meta-Prifti”, për llogari të gjykimit ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë, ende nuk janë paguar për punën e bërë. Për këtë shkak, pak ditë më parë, ekspertët Ermal Beqiri, Artur Rrahmani dhe Ardian Pollo i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për lëshimin e urdhr- ekzekutimit që do t’u mundësonte shpërblimin për “hakun e punës”. Ata u ngarkuan disa muaj më parë nga Gjykata e Lartë me kryerjen e një akt-ekspertimi të materialeve që ishin gjetur në kompjuterin e Dritan Priftit dhe që ishin administruar nga prokuroria në dosjen penale ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Sipas ligjit shqiptar, Gjykata dhe Prokuroria duhet të paguajnë specialistët për punën e bërë në rastet e ekspertimeve. Bëhet fjalë për një shumë prej gati 3.6 milionë lekësh shpenzime procedurale të gjyqit ndaj ish-zv.kryeministrit Meta, ku përfshihet edhe shpërblimi për ekspertët që realizuan akt-ekspertimin. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ndaj Metës, shpenzimet e gjyqit i ngarkoheshin shtetit. Kërkesa në fjalë është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë nga avokati Emiliano Braho, përfaqësues me prokurë i tre ekspertëve. Ekspertët Beqiri, Rrahmani dhe Pollo, në pozitat e kërkuesve në kërkesën e depozituar në Gjykatë, me vendim e ndërmjetëm të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, datë 16.09.2011 u caktuan si grup ekspertësh, në shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Meta. Bazuar në konkluzionin e tyre se “materiali audio-viziv që iu nënshtrua ekspertimit nuk është origjinal” dhe në provat të tjera të paraqitura në gjykim, Gjykata i dha pafajësi ish-zv.kryeministrit. Sipas ligjit, buxheti për pagimin e ekspertëve, post-faktum, duhet të planifikohet dhe mundësohet prej Ministrisë së Financave, pasi Gjykata nuk ka mënyrë për ta parashikuar në buxhetin vjetor një shpenzim që mund t’i dalë gjatë vitit në një proces.
KËRKESA
Sipas kërkesës së dorëzuar në Gjykatë, një kopje të së cilës e disponon gazeta “Panorama”, tre specialistët kanë vendosur në objektin e shkresës së tyre fjalët si më poshtë: “Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për pikën 3 të dispozitivit të vendimit penal Nr.8, datë 16.01.2012 të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, thuhej në kërkesën e tre ekspertëve të videos “Meta-Prifti”. Në dispozitivin e vendimit që deklaroi të pafajshëm ish-zv.kryeministrin Meta në këtë pikë thuhej se “shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit, të realizuara nga grupi i ekspertëve gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, në vlerën 3.592.938 lekë, i ngarkohen shtetit”. “Në piken 3 të dispozitivit të vendimit, Gjykata e Lartë, shpenzimet dhe shpërblimin e grupit të ekspertëve për kryerjen e aktit të ekspertimit ia ka ngarkuar shtetit, pra Ministrisë së Financave. Në këto kushte, ne legjitimohemi të paraqesim këtë kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit”, thuhej në kërkesë. Në lidhje me argumentimin ligjor të kërkesës thuhet se vendimi penal ndaj 16 janarit ndaj ish-zv.kryeministrit Meta, është i formës së prerë dhe përbën titull ekzekutiv. “Në këto kushte, bazuar në nenin 511 të K.Pr.Civile përcaktohet se ‘titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim me kërkesën e kreditorit. Për këtë qëllim lëshohet urdhri i ekzekutimit, i cili jepet: a) për rastet e parashikuara nga pika ‘b’ e nenit 510 të K.Pr.Civile, është Gjykata që ka dhënë vendimin. Pra, kjo kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit i drejtohet për kompetencë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, argumentohej në kërkesën e përpiluar nga avokati Braho.
Gjykata e Lartë i ngarkoi me ekspertizën
Vendimi pas rrëzimit të raportit të specialistit nga SHBA
Specialistët shqiptarë punuan mbi dy javë me videon
TIRANE – Më 16 janar 2012, Gjykata e Lartë i dha fund gjykimit të dosjes me të pandehur ish-zv.kryeministrin Ilir Meta, i akuzuar për “korrupsion”, duke e shpallur atë të pafajshëm. Procedimi penal ndaj Metës nisi pas publikimit të një video-përgjimi në janar 2011, ku shfaqej ai dhe ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, video e regjistruar në zyrën e këtij të fundit. Pas publikimit të kësaj videoje, Prifti pretendoi në organet e hetimit se ishte nga ana e Metës i kërkonte të ndërhynte te persona të ndryshëm për favore të jashtëligjshme. Para organeve, Prifti deklaroi se regjistrimi ishte bërë me një kamera të fshehtë të vendosur brenda një ore tavoline. Video-regjistrimi ishte prova më e fortë e Prokurorisë në gjykimin ndaj Metës. Pas dërgimit të dosjes për gjykim, Gjykata vendosi kryerjen e një riekspertimi të video-regjistrimit nga tre ekspertët shqiptarë, Ermal Beqiri, Artur Rrahmani dhe Ardian Pollo. Ata punuan për më se dy javë dhe një muaj më pas paraqitën raportin e tyre. Ekspertimi në fjalë u administrua më pas nga Gjykata dhe u përdor si provë në gjykim. “Ky ekspertim u realizua me një grup ekspertësh dhe akti i ekspertimit iu nënshtrua debatit gjyqësor, ku palët, si përfaqësuesit e organit të akuzës, ashtu edhe mbrojtësit e të pandehurit, i kanë drejtuar pyetje grupit të ekspertëve, në përfundim të të cilit Kolegji Penal vendosi ta pranojë si provë dhe administrojë në fashikullin e gjykimit”, thuhej në vendimin e Metës. ar.ba
ARMAND BAJRAMI