Kolegji Penal ka rrëzuar kërkesat e ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta për pavlefshmëri të hetimeve lidhur me publikimin e një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit.
Sipas vendimit te Kolegjit, ish ministri dhe zevendeskryeminstri, Meta do t’i nenshtrohet nje gjykimi normal, nje gje te tille e kishte kerkuar edhe vete Ilir Meta nepermjet nje Memo- Kerkese derguar Gjykates se Larte.
Në seancën e 20 qershorit, gjatë paraqitjes së kërkesave paraprake të mbrojtës, avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta kërkuan pavlefshmëri të veprimeve hetimore të kryera nga 12.1.2011 deri më 16.2.2011, pasi, sipas tyre, janë kryer në një kohë që Meta gëzonte imunitet. Njëkohësisht pavlefshmëri u kërkua edhe për veprimet hetimore në periudhën 12.4.2011-9.5.2011, si të kryera jashtë afateve ligjore. Në vijim pavlefshmëri dhe papërdorshmëri u pretendua edhe për aktet e ekspertimit, dëshmitë e Dritan Priftit dhe provat materiale të sekuestruara nga Prokuroria.
Por, në seancën e 4 korrikut, avokatët e Ilir Metës deklaruan se hiqnin dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake, e konkretisht nga: deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet” Sipas avokatëve të Metës kjo bëhej për moszgjedhje të kësaj çështje thjesht dhe vetëm proceduralisht.
MEMO-KËRKESA
“Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga: Deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet”, thuhej në memo-kërkesën e firmosur nga Ilir Meta. Në vijim, aty pohohej se “me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm proceduralisht”.
Ilir Meta u dërgua si i pandehur në Gjykatën e Lartë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme më 9 maj të këtij viti për akuzën e “korrupsionit aktiv”. Hetimi ndaj tij nisi pas publikimit të një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit.
© Panorama.al











