Video e Priftit, rrëzohen 2 ekspertizat

Jul 12, 2011 | 12:26
Viedoja Meta-Prifti

Kolegji Penal, që po gjykon ish-zv. kryeministrin Ilir Meta për akuzën e “korrupsionit” në Gjykatën e Lartë, deklaroi dje të pavlefshëm dhe të papërdorshëm dy akt-ekspertimet e Prokurorisë për video-përgjimin “Meta-Prifti”.Bëhet fjalë për dy akt-ekspertimet e kryera gjatë hetimeve paraprake nga një ekspert amerikan dhe një ekspert britanik. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve të Metës për deklarimin e pavlefshëm dhe të papërdorshëm të këtyre akt-ekspertimeve. Sipas gjykatës, akt-ekspertimet e përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard, nga anglezi Adrian Filips, ishin të papërdorshme, pasi caktimi i ekspertëve nga Prokuroria ishte bërë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj. Në të njëjtën kohë, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë kërkesën e mbrojtësve të Metës, në lidhje me deklarimin të papërdorshëm të videoregjistrimit të realizuar nga shtetasi Dritan Prifti.
ARGUMENTIMI
Gjykata e Lartë u shpreh dje në lidhje me kërkesat paraprake të avokatëve të ish-zv. kryeministrit Ilir Meta, të paraqitura në seancën e 20 qershorit. Në kronologji, kryesuesi i seancës, gjyqtari Ardian Dvorani, shpalli vendimin e ndërmjetëm në lidhje me kërkesat e mbrojtjes. Kolegji Penal vendosi rrëzimin e kërkesës paraprake të avokatëve për pushimin e gjykimit ndaj Metës, për shkak të kryerjes së veprime hetimore ndaj personave me imunitet. “Nuk rezulton që nga momenti i regjistrimit të këtij procedimi nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, pra nga data 24.01.2011, të jenë kryer veprime që nuk lejohen sipas dispozitave proceduriale penale në ngarkim të personit me imunitet”, arsyetonte Kolegji Penal. Në vijim, gjykata rrëzoi kërkesën për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të veprimeve hetimore për shkak te tejkalimit të afateve. “Afati i zhvillimit të hetimeve paraprake ndaj të pandehurit Ilir Meta ka filluar më datën 09.02.2011, kur emri i tij është regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprës penale, ndërkohë që edhe çështja në Gjykatën e Lartë është dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në datën 09.05.2011, pra brenda afatit tremujor”, argumentohej në vendim. Rrëzimin e kërkesës së avokatëve për papërdorshmërinë e video-regjistrimit të realizuar nga Dritan Prifti me pretendimin se ishte realizuar në shkelje të dispozitave të Kodit të Procedurës për “Përgjimet”, Kolegji e argumentoi me faktin se videoregjistrimi nuk ishte realizuar nga Prokuroria. Pra, sipas Gjykatës, ai nuk mund t’u nënshtrohej dispozitave të Kodit në lidhje me “Përgjimet”. Kolegji Penal nuk u shpreh dje në lidhje me kërkesën e avokatëve për deklarimin të papërdorshëm të provave materiale të Prokurorisë. “Duke filluar nga ora, audioja e videoja regjistruese me të cilën pretendohet se është bërë regjistrimi, si dhe mjetet e tjera teknike të transferimit e riprodhimit të regjistrimit, duke vijuar me disqet elektronike ku përmbahen të dhënat e regjistrimit, për shkak se sipas mbrojtjes mungon prova origjinale e bisedës në vetë orën regjistruese, Kolegji Penal çmon se, në kuptim e zbatim të dispozitave proceduriale, në këtë moment të procedimit, nuk mund të japë qëndrimin e tij dhe as të disponojë për pranimin apo rrëzimin e kërkesës, pra për papërdorshmërinë ose jo të këtyre provave”, thuhej në vendim. Po dje, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi rrëzimin e kërkesës së avokatëve të Metës për papërdorshmëri të deklarimeve të shtetasit Dritan Prifti. Në këtë mënyrë, deklarimet e Priftit do të jenë prova të Prokurorisë që do t’i nënshtrohen shqyrtimit të mëtejshëm gjyqësor.

Dëshmitarëve e prokurorise

Dritan Prifti
Bekim Halilaj
E. Cela
Pajtim Sulaj
Ferdinand Murati
Artur Mahmutaj
M. Meduli
P. Bodinaku
Rezart Taçi
Agim Rrapaj
Erdit Rrapaj
Fatmir Merkaj
Zamir Stefani
(Moçka)
Durim Kraja
Ervin Duraj
E. Kondi
Andi Dedja
Ymer Tola
Skënder Tola
Emin Toci
Arqile Papuciu

Memo-kërkesa

Një javë para se Gjykata e Lartë të shprehej me vendim mbi kërkesat paraprake të avokatëve të Metës, mbrojtësit u tërhoqën nga disa prej tyre. Më 4 korrik, ata depozituan një memo-kërkesë në Gjykatën e Lartë, me anë të së cilës kërkonin që gjykimi ndaj klientit të tyre të zhvillohej i plotë, debatues dhe i pandërprerë. Në këtë memo-kërkesë mbrojtësit e Metës pohonin se ish-zv. kryeministri kërkonte mospushimin e çështjes për arsye proceduriale. Sipas memos, ish-zv. kryeministri Meta tërhiqej nga pretendimet e tij për shkeljen e afateve hetimore nga Prokuroria dhe pavlefshmërisë së tyre për kohën kur ai ende gëzonte imunitet.

Nuk shprehet

Kolegji Penal nuk u shpreh dje në lidhje me kërkesën për papërdorshmëri të provave materiale të sekuestruara nga Prokuroria. Bëhet e ditur se ky qëndrim rrjedh për shkak të pranimit nga Kolegji Penal të kërkesës për pavlefshmëri relative dhe papërdorshmëri të akteve të ekspertimit të videos. Sipas Gjykatës, për shkak se kërkesa e mbrojtësve mbështetej në konkluzionet shkencore të arritura në këto akt-ekspertimet, me rrëzimin e tyre, Gjykata nuk gjen më në fashikullin e gjykimit asnjë akt-ekspertimi që të përmbajë konkluzione shkencore në lidhje me natyrën e autenticitein.

Hetimet
Prokuroria e Tiranës i filloi kryesisht hetimet në lidhje me përgjimin e realizuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Pas publikimit të materialit në emisionin “Fiks Fare”, Prokuroria thirri vetë Priftin dhe mori prej tij materialet origjinale. Në këto materiale origjinale u gjet edhe një video, të cilën vetë Prifti e kishte fshirë nga kompjuteri i tij. Në këtë regjistrim, ish-ministri merrte 70 mijë euro nga ish-zv. ministri, Leonard Beqiri.

Avokatët: Gjykata pranoi kërkesat që na i mohoi Prokuroria

TIRANE – Avokatët e ish-zv. kryeministrit Ilir Meta e konsideruan një sukses të paralajmëruar vendimin e djeshëm të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për mospushim të çështjes për arsye proceduriale. Në një konferencë për shtyp, pas përfundimit të seancës, avokatët pohuan se Gjykata e Lartë miratoi pretendimin e tyre që çështja të mos pushohej, për shkak të tejkalimit të afatit të hetimit dhe për shkak të kryerjes së veprimeve hetimore ndaj një personi me imunitet. Njëkohësisht, sipas tyre, vendimi i djeshëm i Kolegjit Penal konfirmoi drejtësinë e pretendimeve të mbrojtjes së Metës në lidhje me shkeljet e vazhdueshme të ligjit nga ana e organit të Prokurorisë. Këtu avokatët përmendën faktin që kërkesa e tyre, që akt-ekspertimet e kryera në SHBA dhe në Angli të deklaroheshin të pavlefshme, i ishte drejtuar më parë tre herë Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurores së Përgjithshme. Por, sipas tyre, në të tria rastet përgjigja ka qenë negative. “Nëpërmjet pranimit të kërkesave tona, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vënë në dyshim vetë thelbin e çështjes, e cila është e lidhur me videon dhe aktin e ekspertimit të saj”, thanë avokatët. Kjo, sipas tyre, për shkak se akt-ekspertimi i deklaruar si i pavlefshëm nga Kolegji Penal u përdor nga ana e organit të akuzës si bazë për heqjen e imunitetit të ish-zv. kryeministrit Ilir Meta.                                                                        ar.ba

 

ARMAND BAJRAMI

 

© Panorama.al

Te lidhura